RTK me ditë maratonike transmetimesh në prag të ndeshjes Kosova – Turqia
RTKLive
Radio Televizioni i Kosovës vjen me një ditë maratonike transmetimesh speciale, në prag të ndeshjes së shumëpritur Kosova – Turqia, duke sjellë dokumentarë, emisione speciale dhe analiza me protagonistë të rëndësishëm të futbollit vendor.
Nga ora 11:45, transmetohet dokumentari “Një çerek shekulli rrugëtim”, kushtuar sfidave të mbijetesës dhe procesit të pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare – një rrëfim emocional për rrugëtimin historik të futbollit kosovar.
Në ora 13:15, RTK sjell emisionin special me protagonistë të shumtë dhe analiza të thelluara.
Në panelin e parë, Jusuf Tortoshi, që përfaqëson gjeneratën e sakrificës, së bashku me gjyqtarin ndërkombëtar Genc Nuza, ndajnë këndvështrimet e tyre për rrugëtimin e Kosovës deri në këtë fazë.
Në panelin e dytë, Arlind Grantolli nga Programi i Sportit dhe drejtoresha e marketingut Ariana Pallata, flasin për përgatitjet dhe detajet e asaj që do të sjellë RTK nga Stadiumi “Fadil Vokrri”, si dhe për atmosferën në qytet.
Në panelin e tretë, në kuadër të këtij programi, flasin redaktori i sportit në Radio Kosova, Edmond Thaçi dhe gazetari shumëvjeçar sportiv në RTSH, Defrim Methasani.
Programi special para ndeshjes Kosova – Turqia nis nga ora 19:00, me studio brenda stadiumit “Fadil Vokrri”, intervista ekskluzive dhe shumë befasi të tjera që do t’i paraprijnë duelit të madh Kosova – Turqia.























