Analistët e RTK-së: Historia dhe sakrifica, motiv për Dardanët
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Ish-futbollisti i gjeneratës së Jusuf Tortoshi dhe gjyqtari ndërkombëtar Genc Nuza janë shprehur se Kosovën e pret një përballje shumë e vështirë ndaj Turqisë, por njëkohësisht e arritshme.
Në emisionin special të Radio Televizioni i Kosovës, kushtuar finales së “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, Tortoshi theksoi rëndësinë historike të kësaj sfide.
“Ky stadium ka histori të gjatë dhe shumë momente janë shkruar këtu, por nëse e kalojmë këtë hap të fundit, që është shumë i vështirë, do të shkruhet një histori e re, e paharrueshme për një kohë të gjatë. Do të ishte sukses i papërsëritshëm nëse arrijmë në Botëror”, ka thënë Tortoshi.
Ai pranoi se Turqia është favorite, por beson në potencialin e Kosovës.
“Turqit janë favorit, por pse të mos e rrëzojmë edhe favoritin e fundit. Duhet të luajmë qetë dhe pa eufori”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Nuza e cilësoi këtë përballje si më të madhen në historinë e futbollit kosovar.
“Sot është histori përtej historive të mëparshme, sepse bëhet fjalë për ndeshjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë populli ynë. Është sakrifikuar shumë për të arritur deri këtu dhe kjo i jep lojtarëve motivin më të madh”, ka deklaruar Nuza.
Ai shtoi se përkundër motivit të madh, kundërshtari mbetet shumë i fortë.
“Kundërshtari është i fortë, sepse mendoj se asnjëherë nuk ka pasur Turqia skuadër më të fortë”, është shprehur Nuza.
Kosova dhe Turqia përballen sonte në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45, në finalen e madhe të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.























