Fazliu e Kosumi: Finalja kundër Turqisë, sakrificë e shumë gjeneratave
BKT
Sport

Fazliu e Kosumi: Finalja kundër Turqisë, sakrificë e shumë gjeneratave

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Ish-trajnerja e Kombëtares së Kosovës në futboll (Femrat), Aferdita Fazliu, dhe ish-gazetari i njohur, Gani Kosumi, kanë folur në RTK për finalen historike kundër Turqisë.

Dardanët dhe Turqia përballen sonte në stadiumin Fadil Vokrri, në finalen e madhe të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Fazliu e cilësoi këtë finale si arritjen më të madhe në historinë e futbollit kosovar, duke vlerësuar rolin e legjendës Fadil Vokrri.

“Është e dhimbshme, por para kësaj ndeshje duhet ta kujtojmë me krenari Fadil Vokrrin, sepse shpirti i tij e ka dashur këtë ditë. Tashmë i kemi arritur pritshmëritë. Më gëzon fakti se ky ekip ka arritur këtu bazuar në mundin dhe vlerat e sportit,” tha Fazliu.

Ajo shtoi se, edhe pse Turqia është favorite në letër, ndeshja është e barabartë dhe Kosova ka shanse për triumf, megjithëse mungesa e Amir Rrahmanit mund të ndikojë në mbrojtje.

Ndërkaq, Kosumi theksoi se kjo finale është ëndërr e shumë gjeneratave që sakrifikuan për të arritur deri këtu.

“Ishte ëndërr e shumë gjeneratave që të luajnë për Kosovën. Fadil Vokrri është më meritori që Federata e Futbollit të Kosovës u njoh ndërkombëtarisht. Sot Kosova është pranë arritjes më të madhe të futbollit tonë,” tha Kosumi.

Ai shtoi se një fitore do të ishte promovimi më i mirë për shtetin e Kosovës dhe do të rrisë njohjen e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është i vogël për kërkesat e tifozëve të shumtë, por shpresojmë që shteti do të punojë në këtë drejtim,” përfundoi Kosumi.

Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë nis në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.