Shala e Gjonbalaj flasin për rëndësinë historike të ndeshjes Kosovë - Turqi
BKT
Sport

Shala e Gjonbalaj flasin për rëndësinë historike të ndeshjes Kosovë - Turqi

Uran Krasniqi / RTKLive

Kosova sonte është në pikën ku nuk ka qenë kurrë më herët sa i takon futbollit, ka qenë pajtimi që dy ish-futbollistët e Kosovës Herolind Shala dhe Malësor Gjonbalaj e kanë arritur teksa kanë folur për ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë në rrugën drejt Botërorit 2026, e cila zhvillohet sonte në Prishtinë.

Ata e kanë vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ndeshje dhe gatishmërinë e skuadrës së Kosovës për përballimin e saj.

Shala ka thënë se ndeshje të tilla janë ëndërr për çdo futbollist:
“Te luash këso ndeshje të mëdha është ëndërr prej fëmijërisë. Është ndeshje e vështirë. Turqia ka cilësi, sepse ka lojtarë që luajnë në skuadra të mëdha evropiane. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por Kosova ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Jemi në një pikë ku nuk kemi qenë kurrë, unë i njoh të gjithë djemtë, ata janë gati, dhe sot do të luftojnë për ta arritur synimin”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Malesor Gjonbalaj ka thënë se ndihet emocionuar kur mendon për rëndësinë e këtij momenti. “Nuk e di a kam qenë ndonjëherë më i emocionuar për një ndeshje futbolli. Është moment i veçantë për shkak të historisë së kombit shqiptar. Sonte nuk do të jetë e lehtë për djemtë e skuadrës, por duhet t’i përkrahim gjatë gjithë kohës. Ne duhet të jemi krenarë për të arriturat që i kemi deri tash. Ndeshja e sontme është një betejë sportive të cilën duhet ta kalojmë meçur. Fitorja eventuale do ta fuqizonte shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Gjonbalaj.