Gjykata Supreme thellon bashkëpunimin me KiE-në për të drejtat e njeriut
BKT
Lajme

Gjykata Supreme thellon bashkëpunimin me KiE-në për të drejtat e njeriut

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Gjykata Supreme e Kosovës dhe Këshilli i Evropës kanë thelluar bashkëpunimin në kuadër të projektit për rritjen e mbrojtjes gjyqësore të të drejtave të njeriut, me fokus forcimin e kapaciteteve profesionale dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka pritur në takim përfaqësuesit e projektit të Këshillit të Evropës në Prishtinë, “Rritja e mbrojtjes gjyqësore të të drejtave të njeriut”, Ljubisa Bascarevic dhe Hana Obertinca.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e projektit prezantuan aktivitetet e planifikuara, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Gjykatës Supreme.

Si një nga përfitueset kryesore të këtij projekti, Gjykata Supreme do të mbështetet në harmonizimin e praktikës gjyqësore të Kosovës me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë kontekst, Zyra për Hulumtim, Publikim dhe Monitorim, si njësi e re brenda Gjykatës Supreme, do të kontribuojë në analizimin e vendimeve nëse ato janë në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe do të shërbejë si urë lidhëse e komunikimit mes institucioneve përkatëse.

Në funksion të këtij qëllimi, projekti i Këshillit të Evropës do të ofrojë mbështetje për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, përfshirë konferenca dhe punëtori që synojnë unifikimin e praktikës gjyqësore.

Projekti parasheh një qasje gjithëpërfshirëse në të gjithë zinxhirin e drejtësisë, me qëllim avancimin e një niveli të qëndrueshëm të njohjes dhe zbatimit praktik të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, si dhe të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.


MË SHUME NGA Lajme