RTK Prime: Kërkohet mbrojtja e historisë dhe kujtesës kombëtare
BKT
Lajme

RTK Prime: Kërkohet mbrojtja e historisë dhe kujtesës kombëtare

Kimete Kosumi/RTKlive

Në emisionin Prime në RTK, analisti Sadik Zeqiri, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, dhe profesori Bujar Dugolli kanë reaguar ashpër ndaj ekspozitës së organizuar në sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar atë të mbushur me gabime të rënda dhe me deformime të fakteve historike dhe kanë theksuar rëndësinë e miratimit të ligjeve kundër mohimit të krimeve dhe gjenocidit.

Analisti Sadik Zeqiri ka theksuar se ekspozita përmban “huqje të madhe” dhe deformim të së vërtetës lidhur me masakrat e ndodhura në Kosovë. Ai ka veçuar mënyrën e paraqitjes së Masakrës së Burgut të Dubravës, për të cilën tha se nuk përputhet me realitetin.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në Burgun e Dubravës. Atje janë vrarë 117 të burgosur shqiptarë dhe nuk ka pasur të burgosur të armatosur apo pjesëtarë të UÇK-së”, ka deklaruar Zeqiri, duke shtuar se përgjegjës për këtë krim kanë qenë forcat serbe, policia, ushtria dhe administrata e burgut.

Ai ka vlerësuar se reagimet publike ndaj këtyre pasaktësive kanë qenë të domosdoshme, pasi sipas tij, shtrembërimi i historisë lëndon të vërtetën dhe kujtesën kolektive.

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, ka thënë se organizata që ai përfaqëson ka kërkuar përgjegjësi dhe sqarime institucionale lidhur me këtë rast.

“Ne kemi qenë të indinjuar. Si shoqatë i kemi të gjitha të dhënat dhe ajo që është paraqitur nuk përputhet me realitetin. Kemi vërejtur se përmbajtja është marrë nga një libër i mëhershëm dhe është kopjuar pa ndryshime”, është shprehur Sadiku.

Sipas tyre, korrigjimi i pasaktësive në ekspozitë është i nevojshëm për të ruajtur të vërtetën historike dhe për të respektuar kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.

Në këtë kontekst, profesori Bujar Dugolli ka theksuar se historia dhe legjislacioni duhet të kenë një bazë të fortë ligjore. Ai ka deklaruar se është e domosdoshme miratimi i ligjeve që mbrojnë të vërtetën historike dhe vlerat kombëtare, duke përfshirë mbrojtjen e monumenteve, flamurit, figurave kombëtare dhe dëshmorëve.

“Këto duhet të sanksionohen me ligj ose të amandamentohet Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Ky është standard i Bashkimit Evropian dhe konsiderohet vepër penale për këdo që mohon krimet e gjenocidit”,ka theksuar Dugolli.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, në mënyrë që personat që mohojnë krimet e gjenocidit të përballen me përgjegjësi penale, dhe ata që dëmtojnë historinë kombëtare përmes shtrembërimeve të qëllimshme të ndëshkohen me ligj.

Dugolli ka vlerësuar se kjo është detyrë e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se krijimi i një baze të fortë ligjore do të ndikojë që individët apo grupet me agjenda të ndryshme të hezitojnë të cenojnë çështje të ndjeshme kombëtare. Sipas tij, fillimisht duhet të miratohet një akt i qartë juridik, e më pas të kërkohet përgjegjësi për shkelësit e ligjit. 


MË SHUME NGA Lajme