Sonte, KEK ndalë njësinë A4 në TC Kosova A për riparime
BKT
Lajme

Sonte, KEK ndalë njësinë A4 në TC Kosova A për riparime

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia A4 në Termocentralin Kosova A do të ndalet sonte rreth orës 00:00 për shkak të problemeve në kondenzator.

KEK thekson se sipas vlerësimeve të ekipeve profesionale, vazhdimi i operimit mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha teknike. Për këtë arsye është marrë vendimi për ndalje të përkohshme dhe të kontrolluar. Të gjitha institucionet relevante të sektorit energjetik janë njoftuar me kohë.

Aktualisht, KEK operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Në kuadër të investimeve strategjike, KEK po realizon projekte mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese gjatë periudhës 2025–2027.

Në këtë kuadër:

Njësia B1 po modernizohet, përfshirë turbinat dhe ndërtimin e elektrofiltrave;

Njësia A5 është në remont kapital të rregullt.

KEK thekson se ndërprerjet e kontrolluara janë pjesë e menaxhimit të përgjegjshëm të aseteve, për parandalimin e dëmtimeve dhe sigurimin e operimit më të sigurt dhe efikas në të ardhmen.

Korporata fton opinionin publik dhe mediat të informohen vetëm përmes njoftimeve zyrtare të KEK-ut, si burimi i vetëm i saktë dhe i verifikuar i informacionit.


MË SHUME NGA Lajme