Anulohen seancat për javën e ardhshme në Speciale
BKT
Gjykata Speciale

Anulohen seancat për javën e ardhshme në Speciale

Afet Bela|RTKLive

Gjykata Speciale njofton se seancat e planifikuara për datat 14-17 prill 2026 në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve në lidhje me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, janë anuluar.

"Informacione të mëtejshme do të jepen sapo të jenë të disponueshme", thuhet në njoftim.

Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024.

Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen në formë të shkruar deri më 7 janar 2025.

Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar ndërsa u bë publike më 14 janar 2025. Më 11 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, Kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm në gjykimin e kësaj çështjeje.

Më 12 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për Përgatitjen e Gjykimit dhe Konferenca Përgatitore e ZPS-së u mbajt më 28 nëntor 2025 dhe gjykimi filloi më më 27 shkurt 2026. Më 13 mars 2026, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 1 prill 2026.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale