Danimarka dhe Britania: Kosova e Serbia të normalizojnë marrëdhëniet
BKT
Lajme

Danimarka dhe Britania: Kosova e Serbia të normalizojnë marrëdhëniet

Valbona Thaçi / RTKLive

Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jennifer MacNaughtan, ka bërë thirrje që sa më shumë anëtarë të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet.

Tek ka kujtuar se është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, përfaqësuesja e Britanisë ka thënë se njohja e Kosovës është esenciale për stabilitet afatgjatë.

“Siç e ka theksuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillëdhënës, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Njohja është esenciale për stabilitetin afatgjatë dhe për zhvillimin e plotë të Kosovës", tha ajo.

Ajo ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve dhe si hap konstruktiv zgjidhjen për zbatimin e Ligjit për të huajt.

Ajo përsëri thirrjen që Serbia të ulë tensionet dhe t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë.

“Dy vite nga sulmi në Banjskë, përsërisim thirrjen që Serbia të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve, si dhe të sigurojë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, përfshirë Milan Radoiçiçin".

Po ashtu ka bërë thirrje për llogaridhënie për sulmet kundër KFOR-it dhe kundër personelit të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.

Në deklarim e saj përfaqësuesja e Britanisë bëri thirrje që Kosova dhe Serbia “të implementojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, duke mirëpritur edhe themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

Në fund të deklarimit ajo theksoi se “kushtet në terren në Kosovë janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 1998”, dhe se duhet rishikuar roli dhe financimi i UNMIK-ut.

Kurse përfaqësuesja e Danimarkës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian është thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet esencial, jo vetëm për qytetarët e të dyja shteteve, por edhe për stabilitetin më të gjerë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet thelbësor për të dyja palët në avancimin e rrugëtimit të tyre evropian, një aspiratë të cilën Danimarka e përkrah fuqishëm.

Ajo ka vlerësuar se “viti 2026 ka filluar në një kontekst inkurajues për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, duke përmendur se “krijimi i komisioneve të përbashkëta për personat e zhdukur përbën hapa të rëndësishëm drejt pajtimit dhe ndërtimit të besimit”. Po ashtu, shtoi se “Danimarka i mirëpret këto zhvillime dhe është e përkushtuar ndaj angazhimit të të dyja palëve”.

Sipas saj është thelbësore që palët të ndërtojnë besim dhe të sjellin rezultate konkrete, ndërsa theksoi se marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen. 

“Marrëveshjet e arritura, përfshirë ato të vitit 2017, mbeten të rëndësishme për Kosovën dhe përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ajo.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi që “Serbia të përmbahet nga pengimi i Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, duke shtuar se “marrëveshjet duhet të zbatohen me mirëbesim dhe kërkojnë hapa konkretë për të siguruar normalizim të plotë, duke përfshirë sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë”.

Duke folur për zhvillimet e brendshme, ajo u shpreh se “Danimarka mirëpret edhe themelimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, duke besuar se Kosova do t’i tejkalojë sfidat dhe do të sigurojë funksionimin e duhur të institucioneve të saj”.

Ajo përgëzoi edhe zhvillimet në veri, duke thënë se “Danimarka gjithashtu përgëzon kalimin paqësor të pushtetit në komunat veriore, si hap i rëndësishëm për integrimin e komunitetit serb në kuadër të institucioneve të Kosovës”.

Në aspektin e sigurisë, ajo theksoi se e vlerësojnë faktin që situata e sigurisë ka mbetur e qetë dhe i inkurajojë të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të rrezikojë këtë stabilitet.

Në fund, ajo rikonfirmoi se Danimarka mbështet një Kosovë shumëetnike, të qëndrueshme, me aspirata evropiane dhe me integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme