‘Bologna-Aston Villa, do të vendoset nga detajet e vogla’
Fatmir Bytyqi/RTKLive
“Përballja mes Bologna-s dhe Aston Villës do të jetë një ndeshje e fortë dhe që do të vendoset nga detajet e vogla".
Kështu vlerësojnë analistët e RTK-së, Rafet Prekazi dhe Muhamet Dragusha, në emisionin dedikuar Europa League.
Ky duel konsiderohet si kryesfida e çerekfinaleve të ligës së dytë më të rëndësishme në Evropë dhe do të transmetohet në RTK.
Bologna pret Aston Villën në shtëpi, në një përballje që pritet të jetë e hapur dhe e ekuilibruar.
Analisti dhe trajneri i njohur Rafet Prekazi vlerëson se ndeshja do të vendoset nga nuancat e vogla.
“Kjo lojë është e nivelit të lartë. Taktika është e sofistikuar, por në këso ndeshjesh vendosin detajet e vogla. Aston Villa është ekip më kompakt, qarkullon topin dhe kontrollon lojën, ndërsa Bologna luan bukur për sy, por shënon pak gola. Kërkohet qarkullim më i shpejtë i topit dhe kujdes në detajet e vogla,” tha ai.
Edhe trajneri Muhamet Dragusha parashikon një sfidë të fortë mes Bolgna-s dhe Aston Villës.
Sipas tij, trajneri i skuadrës angleze, Unai Emery tashmë ka dëshmuar së është një ekspert i kësaj garë evropiane.
“Trajneri i Aston Villës ka shkëlqyer në këtë garë. Aston Villa aktualisht është e pesta në Premier League, ndërsa Bologna në vendin e tetë, dhe Europa League mbetet shansi i tyre për objektivat e sezonit. Italianët do të përdorin kundërsulmin si armë kryesore, por mendoj se Aston Villa do ta thotë fjalën e fundit, edhe pse Bologna kërkon një rezultat të favorshëm për ndeshjen kthyese,” deklaroi Dragusha.
Ndeshja Bologna-Aston Villa nis sot në orën 21:00.























