Certifikohen 36 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë
Valbona Thaçi / RTKLive
Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj janë certifikuar sot 36 rekrutë nga komunitetet jo shumicë, të cilët i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si ushtarë të rinj.
Rekrutët e certifikuar vijnë nga komunitetet turk, ashkali, boshnjak, rom dhe egjiptas, duke reflektuar përkushtimin e FSK-së për ndërtimin e një force profesionale, shumëetnike dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë trajnimit, ata kanë përfituar njohuri dhe aftësi themelore ushtarake, të nevojshme për përmbushjen e misionit të FSK-së në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, familjarë të rekrutëve si dhe mysafirë të ftuar, të cilët ndanë këtë moment të rëndësishëm me të diplomuarit.
Ky certifikim konsiderohet një hap i rëndësishëm në rrugëtimin profesional të rekrutëve dhe një kontribut në forcimin e kapaciteteve të FSK-së si institucion modern në shërbim të vendit.























