Rahoveci triumfon në Mitrovicë, Vëllaznimi mund Vushtrrinë
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Rahoveci ka shënuar fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 26-të të Superliga e Kosovës në hendboll, duke mposhtur Trepça me rezultat të thellë 44:22.
Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë u dominua plotësisht nga “vreshtarët”, të cilët nuk i lanë asnjë shans vendasve. Më të dalluarit për Rahovecin ishin Granit Kadiri dhe Guilherme Fernandes, që realizuan nga 10 gola secili.
Te Trepça, lojtari më efikas ishte Amar Mujka me nëntë gola, ndërsa Sali Maxhera shtoi pesë të tjerë.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Vëllaznimi regjistroi një fitore bindëse në shtëpi ndaj Vushtrria me rezultat 50:35.
Ylli i ndeshjes në Gjakovë ishte Ardi Halili, i cili realizoi plot 18 gola për vendasit, ndërsa te mysafirët u veçua Amir Fazliu me nëntë gola.
Pas këtyre rezultateve, Rahoveci mban pozitën e dytë me 45 pikë, ndërsa Vëllaznimi ngjitet në vendin e katërt me 22 pikë. Trepça renditet e gjashta me 16 pikë, kurse Vushtrria mbetet në fund të tabelës pa asnjë pikë.
Ndërkohë, xhiroja e 26-të do të mbyllet të dielën me përballjen mes Llapi dhe Kastrioti, që zhvillohet nga ora 18:00 në Podujevë.























