Mbi 200 garues në Istog, në ngjarje ndërkombëtare sportive dhe përkujtimore
BKT
Lajme

Mbi 200 garues në Istog, në ngjarje ndërkombëtare sportive dhe përkujtimore

E.Gerbani/RTK

Istogu është kthyer në qendër të sportit dhe përkujtimit me organizimin e garës ndërkombëtare të vrapimit malor Istogu Trail 2026 Epopeja e Prillit, ku këtë vit morën pjesë mbi 200 garues nga vende të ndryshme.

Ngjarja, e zhvilluar në shtigjet malore të Istogut, ndërthuri aktivitetin sportiv me nderimin e dëshmorëve, duke i dhënë garës edhe dimension përkujtimor. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj date dhe rolin e sportit në shoqëri.

“Ndihem i nderuar që ndodhem para jush në këtë ditë të atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë… kjo datë, 12 prilli, është fort e veçantë. Urime dhe suksese të gjithë garuesve, merruni me sport sa më shumë që mundeni. Lavdi dëshmorëve të kombit,” u shpreh Kurti.

Sipas organizatorëve, gara u zhvillua në dy disiplina: 13.3 kilometra dhe 32 kilometra, duke tërhequr pjesëmarrës edhe nga Gjermania, Austria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Nga Këshilli Organizativ i Istogu Trail, Fikret Shatri u shpreh i kënaqur me suksesin e organizimit dhe pjesëmarrjen e gjerë ndërkombëtare.

“Jemi shumë të lumtur që arritëm t’i japim Istogut dhe Kosovës një organizim të tillë… këtë vit kemi mbi 200 pjesëmarrës,” tha Shatri.

Pjesëmarrësit e vlerësuan garën si një ndër më të veçantat në rajon. Përfaqësuesi i “Maraton Albania”, Eduard Duraj, e cilësoi eventin si të organizuar në mënyrë shembullore.

“Është një garë fantastike, një organizim perfekt… një atmosferë shumë e bukur nga të gjithë shqipfolësit këtu”, u shpreh ai.

Ndërkohë, garuesi nga Gjermania Kai Hubert theksoi sfidën e terrenit malor, por edhe bukurinë e natyrës së Istogut, të cilën e vlerësoi si motivuese për pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

Fitues i garës në distancën 32 kilometra doli sërish Shaban Qerkini, i cili mbrojti titullin e vitit të kaluar, në kushte edhe më të vështira për shkak të borës.

“Për dallim prej vitit të kaluar, këtë vit ka qenë shumë më vështirë… rreth 20 kilometra kemi vrapuar nëpër borë”, tha Qerkini.

“Istogu Trail” po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive dhe përkujtimore në vend, me synim zgjerimin e pjesëmarrjes dhe zhvillimin e mëtejmë në vitet e ardhshme.


MË SHUME NGA Lajme