Mitrovica dhe Bihaçi binjakëzohen, synohet bashkëpunim kulturor e ekonomik
BKT
Lajme

Mitrovica dhe Bihaçi binjakëzohen, synohet bashkëpunim kulturor e ekonomik

RTK

Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Bihaçit në Bosnje dhe Hercegovinë janë binjakëzuar, në kuadër të një iniciative që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve.

Duke marrë parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Bihaç, kjo vizitë u konsiderua si mundësi për të përmirësuar lidhjet ndërmjet dy komunave, ku u diskutuan zhvillimi i bashkëpunimit kulturor, forcimi i ofertave turistike dhe krijimi i partneritetit të drejtpërdrejtë mes Mitrovicës dhe Bihaçit.

Propozimi për binjakëzim u bë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, i cili theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

“Kemi propozuar që të motërzohen Mitrovica dhe Bihaçi, pasi që në Bihaç jeton numër i madh i boshnjakëve dhe atje ekziston lagjja boshnjake. E di që ata do të jenë shumë krenarë që kemi arritur të motërzojmë këto dy qytete”, u tha gjatë takimit.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, tha se gjatë bisedimeve është diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit më të ngushtë mes dy komunave përmes marrëveshjes së binjakëzimit.

“Kemi folë për mundësinë e bashkëpunimit, pra për lidhjet më të forta mes Bihaçit dhe Mitrovicës përmes kësaj marrëveshje për motërzim, duke krijuar kështu bashkëpunim edhe më të afërt ekonomik, por edhe për mundësitë që bashkësia shqiptare të përkrahet në ruajtjen e traditave të saj”, tha Berishaj.

Takimi është iniciuar nga Bashkësia e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila merret me ruajtjen dhe afirmimin e identitetit dhe kulturës shqiptare. Përfaqësues të kësaj bashkësie theksuan se përveç Tuzllës, Sarajevës dhe Mostarit, edhe Bihaçi ka rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar.

Në këtë drejtim u tha se bashkëpunimi do të fokusohet edhe në organizimin e aktiviteteve kulturore, ku shqiptarët do të kenë mundësi të prezantojnë traditat e tyre, përfshirë kuzhinën tradicionale, folklorin dhe elemente të tjera të kulturës.

Kryetarja e Bashkësisë së Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Elvira Dushi, theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

“Dëshirojmë që shqiptarët që jetojnë këtu ta ruajnë identitetin, sepse boshnjakët nuk do t’i trajtojnë si të barabartë në rast që ata nuk punojnë në ndërtimin e identitetit të vet, i cili nuk dallon nga ai boshnjak”, tha ajo.

Gjatë vizitës, delegacioni u takua edhe me kryeministrin e Kantonit Una-Sana, ndërsa ambasadori Berishaj vizitoi edhe varrezat e qytetit ku janë varrosur dëshmorët, në mesin e të cilëve ka edhe shqiptarë që kanë marrë pjesë në mbrojtjen e Bosnje dhe Hercegovinës.

Binjakëzimi i Mitrovicës dhe Bihaçit pritet të hapë rrugë për bashkëpunim më të gjerë ndërmjet dy komunave në fusha të ndryshme.


MË SHUME NGA Lajme