Durmishi: Kujtesa historike ndikon në besimin politik në Kosovë
BKT
Lajme

Durmishi: Kujtesa historike ndikon në besimin politik në Kosovë

Berianë Mustafa / RTK-Radio

Psikologia politike në Kosovë tregon se perceptimi i qytetarëve ndaj figurave politike, lajmet e rreme dhe polarizimi ndikojnë në votimet dhe mbështetjen për partitë. Ekspertja Etleva Durmishi thekson se emocione, identiteti grupor dhe kujtesa historike formojnë vendimmarrjen politike të qytetarëve, duke reflektuar sfidat dhe ndryshimet në shoqërinë kosovare.

Radio Kosova: Zonja Durmishi, si e perceptoni ose si perceptimi personal i qytetarëve ndaj figurave politike ndikon në votimet dhe mbështetjen e tyre politike për ta?

Etleva Durmishi: Unë përgjithësisht jam marrë me fushën e psikologjisë politike, e cila është një fushë relativisht e re brenda psikologjisë, por shumë e nevojshme për t'i kuptuar proceset politike në Kosovë dhe në Ballkan përgjithësisht, duke ditur se sa ndikim ka politika në formimin psikologjik dhe në sjellje. Perceptimi i një votuesi ndaj politikës është tërësor dhe në shumë raste ka më tepër karakter subjektiv sesa objektiv, sepse perceptimi që ne krijojmë ndaj politikës ndikohet edhe nga mënyra se si ne formohemi që nga vitet tona më të hershme edhe më tutje. Do të thotë mënyra se si ne marrim vendime ose se si votojmë, se si arrijmë deri te vendimi ynë për të votuar, është e njëjta mënyrë se si marrim vendime të tjera në jetën tonë të përditshme. Pra, një gjë e tillë bëhet nga mënyra se sa emocional jemi nga ajo se sa kemi nevojë që të krijojmë një lojë përkatësie grupore, një lojë profilizimi partiak, se sa kemi nevojë që të gjejmë shpjegime më të thjeshta dhe më të lehta për t’i përcjellë edhe te gjeneratat e tjera.

Radio Kosova: Sot gjithçka lidhet me teknologjinë. Prandaj edhe lajmet e rreme janë bërë pjesë e pashmangshme e tërë këtij bumi informativ. Realisht, sa kanë ndikim informacionet e rreme ose të pasakta në formimin e opinionit të qytetarëve?

Etleva Durmishi:Sigurisht se kanë ndikim shumë të madh, mirëpo bazuar në studimet që janë bërë në fushën e psikologjisë politike, ndikimi primar vjen kryesisht nga rrjeti fillimisht e pastaj nga media, që do të thotë se shoqëria apo ambienti ku rritemi e krijon atë bazë mbi të cilën ne pastaj ndërtojmë gjithçka tjetër. Dhe nëse baza jonë nuk është shumë e qëndrueshme, atëherë ne do të ndikohemi shumë më lehtë edhe nga ajo që e shohim në media apo lajmet e rreme që i lexojmë në rrjetet sociale. Sot është bërë shumë e lehtë që të mashtrohemi ndoshta nga lajmet të ndryshme, sepse e tillë është edhe fuqia e imazhit. Politikanë në përgjithësi dhe politikanët janë të prirë që të ofrojnë mesazhe shumë të thjeshtuara, pra në përgjithësi. Dhe kjo pastaj ndikon edhe te mënyra se si i lexojmë informacionet e tjera. Njeriu bëhet me i prirë që t'i marrë më lehtë ato informacione që janë shumë të thjeshta dhe që i jap një emocion të caktuar, një emocion ndoshta për cilin është shumë më tepër i përgatitur dhe kjo nuk do të thotë që ai informacion është i vërtetë. Pra, njeriu, ose një votues i thjeshtë dhe jo shumë i mirëformuar gjithmonë i nevojitet një informacion që i jep atij atë emocion për cilin ai ka nevojë, qoftë ai i miri apo i keqi.

Radio Kosova: Kur flasim për psikologjinë politike, natyrisht që përfshihet edhe ajo që do e quaja polarizimit politik. Pse në disa shoqëri, mendoj në shoqërinë si kjo e jona, shoqëria kosovare, përjetojnë ndarje të thella ideologjike në kuptimin e zhvillimeve politike?

Etleva Durmishi: Polarizimi politik është shumë i shprehur veçanërisht në Ballkan, por edhe kudo tjetër në botë sigurisht në shoqëri që janë ende në zhvillim, ajo është shumë i shprehur sepse shoqëria përgjithësisht nuk ka investuar shumë në formimin e individit, në vetvete të palidhur me çështjet politike, sepse politika te shumë shekuj është konsideruar edhe si një lojë mbijetese për njeriun, ka filluar të formojë vetën dhe ta identifikojë vetën me çështjet politike sepse ato kanë qenë të pandara nga jeta e tij e përditshme, sepse është po politika që i ka ndikuar në financat e tij, arsimin, shëndetin dhe votuesi është i prirë pastaj që të anojë nga një grup i caktuar. Sepse kjo i jep një përkatësi grupore dhe kur i jep një përkatësi grupore, ai fillon ta ndiejë edhe rëndësinë e vetës dhe beson se ai po kontribuon në shoqëri ndërkohë që kur kjo ndodhë, brenda një polarizimi grupor është plotësisht e kundërta. Pra njeriu ka nevojë që të polarizohet, të marrë anën e një kampi të caktuar dhe jo shumë për të qenë pro atij grupi sesa kundër grupit tjetër. Ne e dimë edhe nga psikologjia e turmave, sepse polarizimi futet brenda psikologjisë së turmave, që kur njeriu bëhet pjesë e turmës, ai e humbet përgjegjësinë individuale dhe kur e humbet përgjegjësinë individuale, ai ndihet shumë i lirë që të veprojë dhe të bëjë si të dojë, sepse në fund të fundit atë përgjegjësi mund t'ia lë kujtdo tjetër. Pastaj në shoqërinë tonë dhe në Ballkan është ende shumë mbizotëruese figura e liderit politik, që do të thotë se njeriu ka nevojë që të udhëhiqet nga një lider. Edhe po të mos jetë ai lider një votues i thjeshtë dhe jo shumë i formuar, do të kërkojë një lider që ta udhëheqë. Prandaj në polarizimet grupore gjithmonë ekziston një lider që do i japë atij pra atë që ai votues ndien se i ka munguar për gjatë formimit të tij. Kështu që edhe në shoqërinë tonë duke qenë se mungojnë shpesh ato debate shumë cilësore ose debate të nivelit të lartë për programe të caktuara politike, atëherë kjo i bënë votuesit që të anojnë më emocionalisht ndaj një grupi të caktuar.

Radio Kosova: Pra identiteti personal por edhe ai grupor i qytetarëve në të kundërtën ndikon në mbështetje për një parti ose lider të caktuar nëse ne jemi të prirë të besojmë ose të krijojmë një supremaci, do të thosha ndaj një lideri, një besim ndaj një lideri. A ndodh dhe e kundërta, a është identiteti personal i një lideri ose i një grupi të qytetarëve që ndikon pastaj edhe tek ana psikologjike mbështetja e një partie ose një lideri të caktuar. Domethënë, anasjelltë.

Etleva Durmishi: Duke qenë se psikologjia është i fushë interdisciplinare gjithmonë prek disa çështje të caktuara dhe në këtë rast në raportin në mes të njeriut dhe psikologjisë dhe politikës ndikimi gjithmonë është i ndërsjellë. Pra, politikani mund të ndikojë votuesin dhe votuesi mund ta ndikojë politikanin. Mirëpo një gjë, por unë mendoj që në Kosovë, duke qenë se ne kemi përjetuar disa periudha të cilat kanë shënuar kthesat më të mëdha, mendoj që ne jemi duke bërë një ridefinim të plotë të vlerave dhe në disa raste jemi shumë më emocionalë. Ne jemi duke kuptuar si shoqëri, ne jemi në një proces ku jemi duke u munduar të kuptojmë se cili është ai që po na përshtatet më shumë si shoqëri. Dhe mendoj që Kosova në këtë rast po tregon një model të mirë, sepse ne si shoqëri i kemi provuar pothuajse të gjithë lidhjet politike që kemi atje. Dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë sepse përmes të cilit pret shoqëria po mundohet të kuptojë se çka është ajo që ata duan, cili është tipi i liderit për të cilin ata kanë nevojë. Kështu që ne përveç se i ndërrojmë shumë shpesh këto lidhje, ne mund të jemi edhe emocionalë mirëpo edhe mund të qëndrojmë shumë më gjatë me parti. Pra, ne e shohim edhe nga praktika që partitë të cilat vijnë në pushtet qëndrojnë për një kohë më të gjatë. Dhe kjo përputhet edhe me studimet të cilat bëhen në psikologjinë politike ku theksohet që përgjithësisht votuesit janë të prirë të mos e ndryshojnë partinë për një kohë të gjatë. Pra në një formë deri në fund të kuptojmë se çka duan të nxjerrin prej të tyre ose cila është vlera e tyre. Dhe përmes edhe përmes proceseve politike njeriu  vetëdijesohet edhe për identitetin e tij. Përndaj këto procese mund të jenë ndonjëherë të zgjatura dhe emocionale.

Radio Kosova: Polarizimet politike si të tilla, çfarë janë në Ballkan, po flasim në Kosovë, pa e përjashtuar fare edhe Shqipërinë. A mendoni se mund të reduktohen, do të thosha ndoshta edhe përmes dialogut publik, por edhe përmes edukimit?

Etleva Durmishi: Po, sigurisht, kjo është thelbësore dhe do ishte një shkas që do duhet ta takzonim pak më shumë në shoqërinë tonë, mirëpo unë shoh që debati është ende shumë i mangët. Do të thotë, të shoh që edhe rinia nuk është aq e kyçur në procese sa do duhet të ishte, me gjithë atë anën tjetër shohim që edhe nga rezultatet e votimeve për gjatë viteve të fundit, shohim që votuesit po kanë shumë nevojë për figura të reja. Edhe në secilën zgjedhje që organizojmë, shohim figura të reja që bëhen pjesë e parlamentit. Mirëpo kjo duhet të reflektohet edhe në përditshmërinë tonë. Duhet shohim që debati edhe programi politik duhet të i prijë gjithmonë, t’i paraprijë më shumë sesa votimit emocional ose në përgjithësi të funksionimit në atë që në psikologji në filozofi i quajmë heuristika, do të thotë ato rrugë të shkurtuara ku njeriu është i prirë të gjejë rrugën më të shkurt për të marrë një vendim. Do të ketë që debatet duan angazhim pak më të plotë dhe duhet një pjesëmarrje pak më e gjerë, e sidomos nga moshat e reja, duke ditur që ne edhe si popullsi kemi një mbizotërim të moshës rinore.

Radio Kosova: Kur po flisni për emocionet në politikë, roli i emocioneve në politikë, nga fusha juaj, nga studimet tuaja, a ndikojnë emocionet si frika ose kujdesi, zemërimi, po natyrisht gjithmonë shpresa mbetet ajo kryesorja, në vendimmarrjet politike të qytetarëve?

Etleva Durmishi: Shihet euforia, shihet ajo çështja e besimit ose mosbesimit. Po, si që thashë edhe më herët, mënyra se si ne zgjedhim që t'i qasemi politikës ndikojnë edhe nga mënyra se si jemi rritur. Pra, të dy proceset politike dhe psikologjike ecin gjithmonë krahas njëra tjetrës. Pra, nëse si fëmijë ne e kemi ndierë se jemi rritur në një ambient jo shumë të sigurt ose nuk kemi punuar shumë me vetën tonë, frika do jetë, po të thuash se, kryefjala e çdo vendimi që do marrim. Në psikologjinë politike janë ndërmarrë edhe disa studime që kanë të bëjnë me elementet të cilat ndikojnë në vendimin e njeriut për votën, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një lideri. Dhe ne shohim që votuesit përgjithësisht janë të prirë të zgjedhin ata liderë të cilët nuk janë shumë emocionalë, pra kanë një qëndrim shumë më të fortë publik, i duan ata liderë të cilët janë pak më gjatë ose më muskulorë, ata liderë të cilët kanë qenë të angazhuar ose në luftë, ose në procese të tjera që kanë bërë kthesa historike në shoqërinë tonë. Dhe kjo na lehtëson që votuesi e kërkon gjithmonë një lidhe apo një grup që e bën ta reduktojë atë frikë dhe atë pasiguri që ka. Dhe këto elemente të cilat unë i përmenda hyjnë kryesisht në sferat të pavetëdijshme psikologjike, por që sërish për kryefjalë e kanë frikën dhe shmangien e saj.

Radio Kosova: Në kontekstin e hapësirës shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, a ka dallim psikologjik te votuesit, ose a dallon një votues kosovar nga një votues shqiptar i Shqipërisë në kuptimin e qasjes ndaj liderit?

Etleva Durmishi: Unë mendoj që në të dy, duke qenë se ne si hapësi shoqërore nuk kemi edhe dallime shumë shumë të mëdha, unë mendoj që kulti i liderit është mbizotërues kudo dhe kjo është shumë e shprehur edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, mirëpo shpesh mendoj që Kosova të paktën po bën lëvizje pak më të mëdha në këtë aspekt dhe votuesit kosovarë po tregojnë një model të votuesit që duan të promovojnë ndryshimin. Duhet të do të theksoj që është e nevojshme që të ketë ndryshime qoftë të liderëve, qoftë përgjithësisht të udhëheqësve. Ne këtë ndryshimin e liderëve e shohim edhe te partitë, te udhëheqja e partive, dhe të mos flasim fare për nivelin qendror. Por nga udhëheqja e partive shohim që kanë ndryshime të vazhdueshme dhe kjo nënkupton se vetë ata udhëheqës e kanë kuptuar qëllimin e votuesve dhe atë çfarë duan votuesit në përgjithësi. Shumë që mendoj që kulti i liderit është shumë i njëjtë si në Kosovë edhe në Shqipëri, mirëpo në Kosovë shohim lëvizje pak më të shumta të ndryshimit të tyre.

Radio Kosova: Në një përgjigje më herët ju përmendët formën se si jemi rritur ose si jemi shkolluar, trauma cilat na kanë shoqëruar gjatë jetës ndikojnë edhe në vendimmarrjen politike. Si ngjarjet e kaluara, do ndalesha te lufta në Kosovë, sa ka ndikuar kjo luftë, sa kanë ndikuar këto trauma historike në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve nëse shihen sot në këto 26 vite pas luftës?

Etleva Durmishi: Po, ajo ndikon sigurisht, trauma historike është një ndër forcat më të padukshme, por më të fuqishme që forcon dhe formëson vendimmarrjen politike. Kujtesa kolektive gjithashtu është kryefjala e gjithë kësaj dhe ajo ndikon pastaj të gjitha proceset e mëvonshme politike dhe në rast se, pra në aspekt psikologjik, në rast se pas ngjarjeve të mëdha historike nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri politike, atëherë kujtesa kolektive është e prirë që të thellohet shumë më tepër dhe emocioni në këtë rast është pak i vështirë të matet, ngase emocioni në thelb formohet nga shumë elemente njëkohësisht. Dhe në rast se ambienti politik është i qëndrueshëm, pastaj kujtesa kolektive është e prirë që të bie apo të zbutet. Dhe sigurisht, po kjo po ndërlidhet edhe me atë që thashë më herët që përgjithësisht ngjarjet nga e kaluara kanë ndikim të vazhdueshëm në shoqërinë tonë, prandaj edhe për faktin që ne nuk e kemi arritur ende atë qëndrueshmërinë që synojmë dhe kjo reflektohet edhe nga lidhja jonë që kemi ne ata liderë ose me partitë politike mbizotëruese që kanë pasur një rol thelbësor në të kaluarën. Pra, përgjithësisht të gjitha lidhjet që kanë role të mëdha në shoqërinë tonë kanë pasur një angazhim në të kaluarën në sfera të ndryshme.

Radio Kosova: Por deri në çfarë mase është dallimi ndërmjet brezave të ndryshëm në kuptimësinë  se si e perceptojnë historinë, ose si e shohin ndikimin e saj në politikë?

Etleva Durmishi: Gjeneratat më të moshuara, ose ai grupi i votuesve më të moshuar janë të prirë që të jenë më të lidhur me të kaluarën sepse e kanë përjetuar më shumë. Sigurisht se edhe rrëfimi i tyre është pak më i gjatë dhe arrijnë të përçojnë në mënyrë shumë më të thellë ndoshta rrëfimin e tyre te gjeneratat e tjera. Gjeneratat e reja, sigurisht se edhe ato janë të ndikuara sepse kjo është një gjë që përcillet brez pas brezi, mirëpo ata njëkohësisht janë të hapur edhe nga ndikimet e tjera të jashtme. Kështu që mendoj që gjeneratat e reja aq sa janë më të hapura ndaj botës, po aq edhe iu mungon një lloj lidhje që duhet, pa tjetër që duhet ta ruajmë të kaluarën sepse në fund të fundit ky është një leksion. Edhe nga një leksion kjo kthehet në një parim që ne duhet ta kemi në jetë gjithmonë dhe të na udhëheqë në vendimet tona më të mëdha. Edhe gjeneratat e reja, nëse e marrim këtë rast, që ishte shembull luftën, duhet të kenë njohuri ose të jenë të mirë informuara për atë se çfarë ka ndodhur, për atë se çfarë ka përjetuar ky popull dhe për atë se si kanë ecur proceset që nga ai moment e tutje, sepse kjo tregon edhe për një mënyrë të të menduarit të shoqërisë sonë dhe nga kjo pikë mund të parashikohen pastaj në proceset e ardhshme.

Radio Kosova: Si karakteristikat psikologjike të liderëve, karizma, empatia, ndikojnë në vendimmarrjen e tyre politike? Mendoj nga ana e liderëve, domethënë karakteri i tyre, psikologjia e tyre e tyre si lider, të cilat janë shndërruar nga masa, tashmë sa ndikon në vendimet e tyre politike?

Etleva Durmishi: Po, po, sigurisht! Kjo është esenciale si gjë tjetër. Karakteri i liderëve politikë ndikon edhe në mënyrën se si ata i marrin vendimet e tyre. Pra në rast se janë më emocionalë, vendimet e tyre do të jenë më emocionale, ose nëse nuk janë shumë të prirë për të qenë bashkëpunues, atëherë vendimet e tyre mund të jenë shumë më strikte dhe mund të lënë jashtë, ndoshta shumë grupime që kanë nevojë të përfitojnë nga shteti dhe nga mirëfunksionimi i shtetit. Kështu që thashë edhe me herët, mënyra se si ata rriten, i përcjell, Është një lojë programimi ndoshta do e quaja me fjalë të tjera që i përcjell në të gjitha sferat, në proceset e tjera jetësore, qoftë  atë në politikë ose jo. Mirëpo përgjithësisht liderët te ne, janë gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme pjesë e politikës dhe në moshë të shtyrë. E kjo do të thotë që ata e kanë të vështirë që të largohen nga politika dhe psikologjikisht kjo është e kuptueshme sepse ata janë angazhuar në politikë që në moshë shumë të hershme dhe kjo është e rëndësishme për këto procese sepse kërkojnë sakrificë dhe kërkojnë mundë dhe atëherë dalja nga skena politike do jetë shumë e vështirë.

Radio Kosova: A mund të flitet për lider të tipave autoritarë apo të atyre demokratikë? Çfarë tipi të liderëve kemi?

Etleva Durmishi: Unë mendoj që Ballkani i ka përjetuar të gjitha, edhe liderët autoritarë edhe ata demokratikë, mirëpo nuk mendoj që kjo shoqëri tani dhe në vitet që do vijnë, nuk mendoj që do jetë shumë e hapur ndaj liderëve autoritarë, sepse mënyra se si shoqëria e proceson informacionin dhe qasja që ka në informacion dhe vetëdija që kanë mbi procese të ndryshme, njëfarë mënyre e pamundëson lejimin e një lideri autoritar ndoshta si tipi i Enver Hoxhës që kanë qenë në të kaluarën. Dhe kjo është një shenjë mjaft pozitive për zhvillimin e shoqërisë tonë.

Radio Kosova: A mendoni që qytetarët e kuptojnë dhe reagojnë ndaj karakteristikave të liderëve autoritarë ose demokratë në momentin kur zgjedhin liderin e tyre, në momentin kur ata votojnë? A e kanë ndjesinë, a e kanë reagimin?

Etleva Durmishi: Unë mendoj që e kanë ndjesinë, unë gjithmonë edhe personalisht besoj që ndjesia e një populli nuk është asnjëherë e rreme. Mirëpo mënyra se sa ata i kushtojnë kohë procesimit të atij informacioni, mënyra se sa ata ndoshta i besojnë vetë opinioneve dhe ndjesive të tyre, atëherë kjo është një tematikë krejt tjetër, por edhe ndikon pastaj në vonesën e reagimit të tyre. Pra, në shumë raste njeriu mund të ketë një ndjesi shumë të saktë, ose një parashikim shumë të saktë, mirëpo mbetet në vëzhgim të reagimit të të tjerëve dhe reagimi i të gjithëve nuk është asnjëherë i njëtrajtshëm ose i njëkohshëm. Dhe kjo pastaj mund t’i vonojë disa procese apo në raste edhe t’i komplikojë ato.

 


MË SHUME NGA Lajme