Në RTK Prime diskutohet çështja e presidentit|VIDEO
Emine Hoti& Shqipe Gashi|RTK
Sot në RTK Prime u diskutua çështja e presidentit. Kur kanë mbetur edhe dy javë kohë për të zgjedhur presidentin, partitë politike ende nuk po arrijnë një marrëveshje e cila do ta zgjidhte çështjen e njërës nga tri pozitat më të rëndësishme të vendit.
Analistja Besa Luzha, tha se jemi duke i zhvilluar këto procese në mënyrë të gabueshme.
“Të gjitha partitë që janë në Kuvend janë në palë. Në proces kur jemi në negociata që është në konflikt me udhëheqjen dhe me vendosjen e kushteve dhe me udhëheqjen e procesit, ka munguar një fasilitator që do të ndihmonte këtu. Mirëpo në anën tjetër duke u mundu, sikur të gjithë ne, me dhanë një mendim të pranueshëm të bazuar në analizën e situatës, kam ardh në përfundim që ne, në një farë mënyre, krejt këtë negocimin tash, sidomos pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për afatin e saktë edhe për kushtet e sakta se çka bën, çka s’bën, për ndoshta për dikend të qartë qysh më herët, por për disa që s’kanë pasur qartë, është kristalizuar. Kam marrë në përfundim se jemi duke e zhvillu këtë proces në mënyrë të gabueshme”, tha Luzha.
Analisti Sadik Zeqiri vlerësoi se, sipas zhvillimeve të fundit, nuk pritet zgjidhje, pasi sipas tij deputetët po merren me punën në Kuvend dhe me zhvillimet që kanë të bëjnë me të kaluarën e luftës së fundit. Zeqiri tha se çështja e presidentit nuk është në rend të parë për partitë politike dhe lidershipin.
“Sipas zhvillimeve të fundit, më shumë deputetët dhe drejtuesit e partive politike janë duke u marrë me kalimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës me nguti shumicën prej tyre, por edhe duke nderuar dhe respektuar të rënët, sepse muaj mars, prill dhe maj janë muajt më të dhimbshëm që ka kaluar populli i Kosovës gjatë vitit 1998 dhe vitit 1999. Nuk ka as një takim, nuk ka as një ftesë zyrtare të drejtuar nga partia me madhe e fituese e zgjedhjeve në drejtim të Partisë Demokratike” tha Zeqiri.
Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka kandiduar Vjosa Osmani për postin e presidentes, pasi sipas tij nuk ka pasur siguri për sigurimin e mbi 80 votave në Kuvend, dhe nuk ka dashur “ta djegë” emrin e saj politikisht. Gashi tha se Vetëvendosje nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Lëvizja Vetëvendosje fare nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje, ndërsa të gjitha partive tjera po. Ne kemi pasur kryetarë partish që kanë deklaruar drejtpërdrejt se më keq se kaq nuk i kanë punët dhe se ata mund vetëm të fitojnë dhe jo të humbin. Unë mendoj se këta edhe mund të humbin, që do të thotë se këto numra mund të jenë shumë më të vegjël nëse e çojnë situatën në zgjedhje të parakohshme dhe nëse qytetarët i identifikojnë si bllokues të formimit të institucioneve të shtetit, siç ka qenë viti 2025”, tha ai.
Gashi gjithashtu shtoi se edhe në rast të zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të ruajë ose rrisë rezultatin, ndërsa partitë opozitare mund të pësojnë rënie.
Politologu Dorajet Imeri tha se partitë politike nuk kanë besim të ndërsjellë dhe se ato nuk janë të gatshme për të arritur një marrëveshje politike. Sipas tij, ekzistojnë disa faktorë që i bëjnë ato të mos shohin mundësinë për të arritur një marrëveshje.






















