Haxhiu takon Prevot, flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prevot.
Në komunikatën për medie thuhet se Haxhiu e falënderoi Prevot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të historisë sonë, ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës sonë në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
"Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve", thuhet në komunikatë.
Po ashtu Haxhiu ritheksoi rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

























