Njohësit e futbollit e favorizojnë Aston Villa në ndeshjen me Bologna
Uran Krasniqi / RTKLive
Aston Villa është parë favorite përballë Bologna në ndeshjen e kthimit në kuadër të Europa League, nga njohësit e futbollit, Genc Sermaxhaj dhe Korab Hasani.
Ndeshja e parë, e zhvilluar në Itali, ka përfunduar me fitoren 3-1 të Aston Villa. Takimi i kthimit luhet sonte dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK. Sermaxhaj dhe Hasani kanë qenë mysafir në studio për analizimin e ndeshjes.
Sipas Sermaxhajt, Aston Villa ka avantazh si për shkak të pozitës më të lartë në Premier League, ashtu edhe për shkak të përbërjes me lojtarë të kombëtareve të ndryshme.
“Aston Villa është në një nivel më të lartë se Bologna. Megjithatë, skuadra italiane ka disa lojtarë që mund të bëjnë dallimin, por anglezët kanë komoditetin pas fitores në ndeshjen e parë”, është shprehur Sermaxhaj.
Në anën tjetër, trajneri Hasani e ka përshkruar këtë përballje si një ndeshje mes durimit dhe urgjencës.
“Aston Villa e ka durimin për shkak të epërsisë, ndërsa Bologna ka urgjencën sepse duhet të shënojë sa më shpejt për të ndryshuar rezultatin”, ka deklaruar Hasani.























