Letërsia shqipe mes traditës, lirisë dhe sfidave të kohës digjitale
BKT
Kulturë

Letërsia shqipe mes traditës, lirisë dhe sfidave të kohës digjitale

Fatmire Rrahmani /RTK-Radio

Akademiku Ali Aliu, në një intervistë për Radio Kosovë, vlerëson se letërsia shqipe sot është në një fazë “normale” zhvillimi, duke ndjekur trendet moderne dhe postmoderne evropiane. Sipas tij, ndikimet letrare globale tashmë përhapen shumë më shpejt, duke ndikuar drejtpërdrejt në krijimtarinë e autorëve shqiptarë. Aliu, pos tjerash, thekson se gjithnjë e më shumë shkrimtarë shqiptarë po depërtojnë në tregun ndërkombëtar, duke shkruar në gjuhë të huaja dhe duke fituar çmime të rëndësishme.

LETËRSIA SHQIPE SI VAZHDIMËSI HISTORIKE DHE EVROPIANE

Radio Kosova: Para pak ditësh, në Tiranën me shi, festuat 92-vjetorin e ditëlindjes tënde, i rrethuar mes miqsh, kolegësh, artistë e shkrimtarë. Njerëz të artit, të kulturës… Një jetë e tërë mes librash. Një jetë e tërë mes studimesh, kritikash… Profesor, nga përvoja juaj jetësore dhe akademike, si e shihni letërsinë shqipe sot?

Akademik Ali Aliu: Letërsia shqipe, si të gjitha letërsitë e popujve normalë, me traditë, e jona me një traditë të lashtë, gati antike, i ka shënuar epokat kryesore letrare.

Çdo epokë i ka pasur karakteristikat e veta, që nga antikiteti, mesjeta, rilindja, romantizmi dhe me radhë. Dhe në një mënyrë, edhe kur jo në formë të drejtpërdrejtë, kur ka filluar të shkruhet më vonë, ajo në një mënyrë i ka shënuar, i ka përthithur ato përvoja. Letërsia jonë, nga ky aspekt, është një univers letrar që i ka të gjitha kthesat dhe epokat karakteristike të letërsisë botërore.

Ajo e romantizmit është në frymën e vet, e realizmit mes dy luftërave në frymë dhe karakteristika, po ashtu të lëvizjeve letrare teorike në përgjithësi në hapësirën tonë në Ballkan dhe Evropë.
Dhe letërsia e viteve të komunizmit ishte sipas një doktrine që u quajt realizmi socialist. Ka pasë kufizime, rrethana që e ngushtonin potencialin real të krijimtarisë letrare dhe arteve tjera.

Mbas asaj, jemi në epokën, në shekullin XXI. Pak a shumë përputhen epokat shekullore me këtë, në trendet e letërsisë evropiane dhe botërore. Komunikimi i përvojave letrare krijuese, si në të gjitha fushat e tjera, depërton shumë më shpejt se dikur.

Ndikimet e përvojave të qendrave letrare, që dikur depërtonin me vonesë, me vite e nganjëherë me dekada në periferi, sot ato komunikojnë brenda ditës.

Nuk ka stile, përvoja të fshehta që nuk depërtojnë në përvojën, imagjinatën dhe talentet e shkrimtarëve tanë. Janë trendet e asaj që është moderne, që quhet postmoderne, dhe në këto gati 30 vite janë shënuar edhe karakteristikat e brezave.

Vijnë me përvoja të përgjithshme, vijnë me shkolla të kryera nëpër qendrat letrare. Vijnë me frymën dhe ritmin e ecjes së ndryshimeve, ndryshimeve të thelbit, të strukturës, të imagjinatës, të asaj çfarë është talent, frymëzuar nga një ambient dhe nga një kohë me të gjitha tiparet që e ngarkojnë atë kohë.

Mund të them se jemi në një letërsi normale që i ndjekim këto hapa dhe, për më shumë, një letërsi me autorë që po shpërthejnë edhe përmes gjuhëve të huaja.

Kemi me dhjetëra shkrimtarë shqiptarë sot nëpër botë, në Evropë sidomos, që shkruajnë në dy gjuhë, që vlerësohen dhe marrin çmime të rëndësishme nëpër Evropë. Është një letërsi që, në një mënyrë, po i kompenson edhe ato ritmet kohore kur kanë qenë më të plogështa te ne, më të ngadalta.

UNITETI I LETËRSISË SHQIPTARE NË HAPËSIRËN MBARËSHQIPTARE

Radio Kosova: Profesor, a mund të flasim për një unifikim të letërsisë që krijohet në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë apo ende mund të flasim për letërsi të ndara?

Akademik Ali Aliu: Letërsitë e ndara në hapësirën shqiptare kanë qenë ato që përmenda në shtetin shqiptar në kohën e socializimit, diktaturës, dominonte realizmi socialist.

Pjesa tjetër e hapësirës shqiptare në ish-Jugosllavi nuk ka qenë e ndarë, për arsye se krejt shqiptarët e atëhershëm në Jugosllavi, të ndarë në Kosovë, Maqedoni dhe në republikat tjera, formoheshin si krijues, shkolloheshin, arsimoheshin dhe krijonin fizionominë e tyre si krijues në Prishtinë.

Edhe letërsia në Maqedoni, pas Kosovës, është kapitulli më i rëndësishëm i historisë së letërsisë sonë. Gati 80–90 për qind të shkrimtarëve që edhe sot janë aktivë dhe më të rëndësishëm atje, të gjithë veprat e para gati i kanë botuar në “Rilindje”.

Vetë janë shkolluar në Universitetin e Prishtinës, janë të formuar këtu dhe, meqë e kemi ende në përfundim e sipër, e kemi një projekt që e udhëheq Sabri Hamiti në Akademi, “Historia e Letërsisë Shqipe”, nuk ka kurrfarë dallimesh, pos asaj që thashë gjatë shekullit të kaluar mes letërsisë që krijohej në shtetin shqiptar dhe të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

LETËRSIA DIKUR NËN PRESIONIN E POLITIKËS DHE CENSURËS

Radio Kosova: Sa ka ndikuar politika në letërsi?

Akademik Ali Aliu: Po, natyrisht, letërsia që zhvillohej në Kosovë, do të thotë në hapësirën shqiptare të ish-Jugosllavisë, ka qenë pak a shumë në kushte më të hapura ndaj ndikimeve të jashtme, për dallim nga ajo që krijohej në shtetin shqiptar, por nuk ka qenë e lirë, qind për qind, të themi, si letërsia që zhvillohej në serbo-kroatisht, sllovenisht dhe në gjuhë të tjera. 

Ka qenë një letërsi që ishte e vetëdijshme se është e kontrolluar, se censurohet, se është gjithnjë e survejuar nga një sy shtetëror dhe kjo ka ndikuar edhe në përzgjedhjen tematike, sidomos në tematikën identitare kombëtare, në kërkimin e traditave, rrënjëve etj., por edhe në formë.

Megjithatë, ajo ka shpërthyer dhe në hapësirën jugosllave të atëhershme letërsia shqipe në Prishtinë shpërtheu me talente që ishin jo nën nivelin e vlerave që kishin shkrimtarët e qendrave të tjera në Beograd, Zagreb, Slloveni. 

Shpërtheu sidomos me një valë të tretë, do të thoshim kushtimisht, të poetëve si i madhi Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, që ishin në nivelet e poezisë së atëhershme në kryeqytetet e Jugosllavisë.

Pos shtrëngimeve, natyrisht, shkrimtarët, poetët e mëdhenj, thuhet që nuk ka epokë, kushedi sa shtrënguese të jetë, që t’i ndrydhë krejtësisht dhe ata gjithnjë gjejnë mënyra të tërthorta që ta thonë atë që e ndjejnë përbrenda, siç ka ndodhur edhe në Shqipëri. 

Kadareja e ka thënë krejt atë që e ka ndjerë për botën shqiptare, një botë me rrënjë antike, me qytetërim antik, dhe pikërisht atë botë, duke u fshehur pas të kaluarës historike, ua sillte shqiptarëve në atë gjendje të mbyllur.

Kështu bënin edhe poetët e mëdhenj që përmenda, edhe Azemi, edhe Ali Podrimja, që gjenin mundësi në mënyrë metaforike ta shprehnin edhe barrën, tendosjen e brendshme, mungesën e hapësirës së plotë. 

Gjetën një formë dhe një figuracion poetik, të cilën e kapi dhe e kuptonte rinia e atëhershme dhe e kishte edhe ajo këtë frymë që megjithatë në vend të vet, por nuk është plotësisht e lirë në vendin e vet.

Ky brez arriti të gjente një komunikim të atillë që edhe metaforat, simbolet më të tërthorta t’i kuptojë në ç’dyer - dritare trokisnin. Për të ndjerin, djalin e vet, Ali Podrimja thotë: po pse nuk shkove të luftosh, barem për Palestinë, por vdiqe kështu.

Një gjuhë simbolike që e kapën dhe komunikoi se edhe brezi që shkollohej në atë kohë këtu sikur kishte një frymëzim që duhej ta kapnin kohën e humbur. Duhej të ecnin me një ritëm më të shpejtë në të gjitha fushat.

Si profesor, e ndaj këtë përshtypje që nuk ka pasur nevojë të imponohej, gati-gati me sforcim, ideja për të mësuar, për të ditur. Sikur e kishin të lindur vetvetiu ai brez, ato gjenerata për të cilat flas unë.

FIGURA TË MËDHA DHE KUJTESA KULTURORE

Parandjenja e poetëve të mëdhenj si mesazh për realitetin politik në Kosovë dhe Shqipëri

Radio Kosova: Ju, profesor, keni njohur nga afër Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin dhe shumë autorë të tjerë emblematikë të kohës. Edhe në ditët tona gjuha e tyre, komunikimi, ironia e vargut, seç përputhet me të gjitha vitet që kanë kaluar, që jetojnë dhe që shpresoj do të vijnë më pas. Ç’ e bën një rrugëtim kaq të gjatë në letërsi?

Akademik Ali Aliu: Po, ashtu është! Përmendët Dritëro Agollin. E kam njohur nga afër dhe kam qenë mik shtëpie, unë tek ai, ai me Sadijen tek ne në Kosovë, në Maqedoni. E kam ndjekur që nga fillimi krijimtarinë e tij.

Të mos flasim që romani i tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një roman që, kur u përkthye në letërsitë e lindjes në kohën e vet, u konsiderua si një shvejk bashkëkohor, me një ironi të brendshme, të përthyer.

Me një buzëqeshje ironike ai fliste për një raport mes pushtetarëve dhe jopushtetarëve të atëhershëm, por më vonë edhe në poezitë e veta, sidomos pas “Pelegrinit të vonuar”, që u fut në vitet ’90 dhe deri në fund, ai parandjeu një lloj, të mos them marrosje, është një epitet i ashpër ndoshta, që do të ndodhte edhe pas epokës së re, edhe në epokën e demokracisë.
Më kujtohen shumë poezi të këtij cikli të veprave të tij.

Njëra, bile që e shfletonja këto ditë: “Më duket sikur s’jam në vendin tim”. Ai thotë: po ndjej sikur çdo gjë, edhe për jashta edhe brenda në shtëpi, po sillet në eter një helm. Një helm që duket sikur do të shpërthejë që nga nëntoka. Përmendte edhe gjerize edhe kanale të zeza, thotë: sikur me këtë helm jemi ngarkuar të gjithë.

Na janë ngarkuar edhe teshat, edhe veshjet, dhe do të shpërthejë ky helm një ditë.
Këto janë të viteve ’90, në ditët e para të demokracisë, flet në Shqipëri.

Dhe ja, 35 vite nga përmbysja që ka ndodhur, një marrosje të tillë fatkeqësisht kemi. Kemi ç’po bëhet edhe në Shqipëri: një pozitë-opozitë ende komunikimin e kanë përmes dhunës, përmes fishekzjarreve, përmes tegullave me benzinë e ku di unë.

Po, në një mënyrë, edhe këtu tek ne sikur një helm i tillë. Hajt të themi një zemërim, një ndjenjë për hakmarrje që është burim i urrejtjes, një urrejtje që ishte e paimagjinueshme në një kohë kur ishim të rrezikuar, kur ishim gjysmë të lirë. 

Është një fatkeqësi e kohës që poetët e mëdhenj e kanë ndjerë. Ka vargje të tilla plot Azem Shkreli, të shprehura, artikuluara me atë gjuhën, me idiomën e Shkrelit, me atë figurën, simbolin, me atë frazën që është e ngjeshur me mendim. Ka plot poezi të tilla…

Radio Kosova: Ma kujtove njërën nga to, nëse mund ta mbaj mend, ashtu siç e ka shkruar:
nga bjeshka e thepisur malësori rishtas zbret, në brez, vdekjen e tjetrit, në ballë, vdekjen e vet.

Akademik Ali Aliu: Po, po, është edhe në poezi i prerë, si me the, kështu, por i ngjeshur, i ngjeshur me mendim, me vizion. Portrete të tilla… ai ka plot poezi i ka ato meditimet. Në “Shtatë meditime natën” i parandjen të gjitha këto.

Parandjen edhe zërin e zogjve, por edhe të zogjve të zi, edhe parandjenja të rënda. Parandjen miqtë dhe jo miqtë. Ka revoltë, ka dëshpërim në ato poezi edhe sot. Edhe sot duhet të jenë një lexim për ta gjetur vetveten, për të balancuar vetveten me të tjerët, për të gjetur një komunikim njerëzor mes nesh.

Radio Kosova: Po si ka mundësi, profesor, të jemi në një gjendje gatishmërie, duke iu referuar kësaj stofe që lexova, gjatë gjithë jetës, nëpër shumë periudha, kundër armikut, me një vdekje në brezin tonë sikur…

Akademik Ali Aliu: Është një, mos të themi mallkim, një…Më kujtohet tash një nga figurat ndërkombëtare të politikës që ka qenë në krahun tonë, që ka ndihmuar Kosovën që në vitet ’90 sidomos.

Para nja 10-15 ditëve më ra në sy një deklaratë dëshpëruese e tij: thotë, po atëherë e pamë dhe ndjemë nevojën që kosovarët, shqiptarët, duhet t’i mbrojmë nga pushtuesi, nga të tjerët, por tani ç’është kjo që ne sikur duhet t’i mbrojmë nga vetvetja ata.

Domethënë është një periudhë që të lutemi të jetë sa më e shkurtër, mos të zgjasë kështu, siç janë këta muaj.

Radio Kosova: E përmendëm Dritëro Agollin, këtë poetin e tokës, poetin e thellësive. Thellësitë janë gjithmonë të errëta. Agolli i ka bërë ato që të jenë ndriçuese dhe e ka bërë atë vargun e tij për fshatarin e thjeshtë, për bujkun, për njeriun e mirë, të jetë sikur ai mozaiku që ka plotësuar botën e tokës, botën përreth. Kam shkëputur nga ky libër, të Dritëro Agollit, “Prit edhe pak”, që e ka nxjerrë e shoqja e tij Sadija pas vdekjes, një poezi sigurisht do të ketë qenë e vitit 2007: “Në shekullin e ri tani kemi hyrë, të rralla mbeten qimet, dhëmbët ranë. Mi sheh këto gërvishtje të fytyrës. Ah, thonjët e iluzioneve mi lanë…”

Akademik Ali Aliu: Po iluzionet… “Pelegrini i vonuar”, që është një nga përmbledhjet më të mira të tij dhe që e filloi serinë e ciklit të poezive të periudhës në demokraci, ai ishte pelegrini i vonuar, domethënë shpendi që është vonuar në kohë.

I kanë ikur të tjerët. Sepse pelegrinët, kur shkojnë në viset e ngrohta, kur shpërngulen, gjithnjë shkojnë bashkë, në grumbull, si figura estetike. Dhe i ndarë nga kopeja, nga tufa, është i vonuar dhe ka pasur iluzione që mund t’i mbërrijë.

Por ja që koha ishte kundër nesh. Do të thotë, edhe në kuptimin e etnisë si një iluzion, edhe në kuptimin fare personal, ai dëshpërimin që e ka gjatë viteve të demokracisë e ka pasur si zhgënjim të madh.

Ka pasur iluzion që pas përmbysjeve epoke historike do të hyjmë në një epokë qytetërimi dhe zhgënjimi, mandej, është faza që vjen pas iluzionit. Kur përplaset me realitetin ëndrra atëherë përplaset vjen zhgënjimi i madh.

Për artin poetik, një fat, që zhgënjimi i madh i tij u shndërrua në gjashtë apo shtatë vëllime të këtij cikli pas “Pelegrinit”. Dritëroi ka qenë i madh edhe në prozë. Përmendëm Zylon, natyrisht një vepër që bëri shenja në kohë të vet. Në lindje këndej thanë: qysh është e mundur në një diktaturë të lindë një zëvendësministër që vihet në lojë në këtë mënyrë?

Por, Dritëroi ka folur për një epokë tjetër në letërsi, në disa raste. E ka një roman, “I shtati në bronz”. Jo, titulli i romanit është “Komisari Memo”, mandej kur romani është bërë film e ka pasë “I shtati në bronz, mund të jetë edhe i teti”.

Në të vërtetë, thelbi është ky. Ngjarja është nga lufta çlirimtare. Në një zonë të Shqipërisë ka formuar një brigadë për çlirim, një i quajtur komandant Rapo, personazhi komandant Rapo.
Ky e bën luftën shumë mirë, ky Rapoja, por në luftë ka hyrë që: hej, jemi të rrezikuar. I mbledh krejt çfarë ka hapësira, krahinat, fshatrat, rrethet dhe i mbledh luftëtarët dhe lufton.

Dhe pas luftës prapë: do ta bëjmë punën secili atë punë që punonim. E bën luftën mirë. Shtabi qendror, i dërgon një komisar politik, Memo, dhe don që ta kanalizojë këtë. Ky s’e pranon dhe thotë që vjen me ato direktivat.

Lufta nuk bëhet të ma bëjnë planin atje, ku e dinë ata çfarë lufte duhet të bëj unë këtu, me përvojat e planeve nga jashtë tash ne duhet t’i bëjmë frontet dhe e kthen një, dy, tre, dështojnë këta.

Kthehen si të pasuksesshëm komisarët që i cakton shtabi, edhe kthehen gjashtë a shtatë a tetë.
Njëri vjen e mposhtë gati me dhunë Rapon, që Rapo don ta mbajë të pastër jo vetëm me formulat se si të luftojë ai, me formula nuk luftohet, por ai ka edhe kundërshtime të tjera.

Në luftë kanë marrë pjesë edhe gratë. Thotë: unë në brigadën time s’i dua se m`i bëjnë të plogësht luftëtarët. Ai ka filozofinë e vet që kullon nga toka, që shpesh kështu e kanë mbrojtur trollin e vet. Dhe ku është tash kompromisi që Dritëro Agolli i bën sistemit?

Dhe personazh kryesor e nxjerr komisarin Memo. Lexuesi normal gjatë gjithë kohës impresionohet me komandantin Rapo, ai është kryesori, por ai e nxjerr komisarin. Bën një kompromis që ta botojë romanin, që ta botojë edhe Rapon.

Ose një roman tjetër që e ka, “Njeriu me top”: e zgjedh njëri edhe armën më të fuqishme kundër armikut, topin, e strehon në shtëpi. Lufta kryhet, topi mbetet i pashkrepur dhe ky çfarë të bëjë që ta vërë në lëvizje, ia gjuan sanën kojshisë andej.

Domethënë, në të ardhmen do të fillojë edhe kjo: kur s’do të kemi me kë të luftojmë, mes veti.
Domethënë, vizioni i shkrimtarit shkon shpesh shumë para lexuesit, para kohës. I parandjen do sende, njësoj si në prozë për të cilën folëm në fillim.

Radio Kosova: Ky Dritëroi, i tillë siç e përshkruani ju tani, pas iluzioneve të veta i nxjerr mëkatet sidomos gjatë viteve të fundit. Ç’ndikim pati, profesor, inkuadrimi i tij në sferën politike, si deputet i Partisë Socialiste për disamandate?

Akademik Ali Aliu: Po, deri në fund ka qenë… Unë e kam njohur Dritëroin në fillim të viteve ’70, kur ai ka qenë në një vizitë, kur e kishim atë bashkëpunimin e artë ne. Vitet ’70 ishin vitet më me bereqet për kombin. Bashkëpunimi, vetëm 10 vjet. Vinte shpesh, na ftonte shpesh.Në fillim të viteve ’70, u bë sekretar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku kryetar ishte Dhimitër Shuteriqi.

Dhe me këtë status, me këtë post, Shuteriqi udhëhoqi ekipin e parë të shkrimtarëve në vizitë në Prishtinë. Kjo vizitë pasoi me një vizitë të shkrimtarëve të shoqatës tonë në Shqipëri në vitet ’70, në një 70-vjetor që u organizua si konferencë për Naim Frashërin.

Radio Kosova: Po, Lasgushi ishte gjallë profesor. Pse nuk erdhi ai?

Akademik Ali Aliu: Po, ju hapët një kapitull shumë dhimbës të asaj kohe. Lasgush Poradeci, poet i madh, mbahej në një mënyrë si atje në periferi, pak a shumë në heshtje. Dhe nuk ka qenë i vetmi ai që kishte etje të madhe të vizitonte, por një etje deri dramatike kanë pasur plot figura të tjera të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe.

Për bindjet e mia, ky ka qenë Skënder Luarasi, i cili ëndërronte të vinte ta shihte vendlindjen e Isa Boletinit, që i pari ia bëri monografinë. Edhe kur ne ishim në vizitën e parë në Shqipëri, në vitet ’70, si delegacion i shoqatës, ai erdhi në një kafe i paftuar nga ata që na shoqëronin.

Skënderi, profesori Skënderi, nuk kërkoi leje nga kurrëkush. U shoqërua me ne.I tha dikush: “Profesor, janë mysafirë nga Kosova”. Tha: “S’ka nevojë të më thuash, se duken si lisa, si Isa Boletini”.

Edhe nga ana jonë, që ia dinim emrin, na erdhi shumë mirë, por e ndjemë menjëherë që ai nuk ishte i ftuar.Një figurë e madhe si Skënder Luarasi, që përktheu Faustin, përktheu Goethen, përktheu Shakespearen, që ishte major në luftërat çlirimtare në Spanjë, ishte në një gjendje të tillë.

Dhe, për fat, njëri nga kolegët me të cilin ishim bashkë në atë grup shkrimtarësh, prozatori, romancieri Nazmi Rrahmani, ishte drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Edhe ai e kishte pasur në dorë një informim që libri për Isa Boletinin flinte diku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe e pyeti atë.

I tha: “Unë kështu e kështu e di”. Ai u përgjigj kështu: tha se ka dy a tri vjet që është, por në vitin e parë ia mori radhën Lenini, vitin e dytë Stalini, vitin e tretë ky, tha, do t’i vijë radha ndoshta.
Dhe i la pa gjuhë ata që na shoqëronin, edhe që ishin njerëz të politikës. Domethënë, ai e kishte ëndërr që të vijë. Nuk e lanë.

Shkrimtari i “Lumit të Vdekur”, Jakov Xoxa, që e bëri romanin e parë me personazhe që i bënin krushqi Kosovë e Shqipëri të paraluftës, e kishte ëndërr të vijë e ta vizitojë. Është një kapitull i tërë, fatkeqësisht. Më kujtohet, se të gjithë këta i kam pasur të afërt, i kam pasur miq. Ashtu ka qenë periudha.

KRITIKA LETRARE DHE ROLI I SAJ DIKUR DHE SOT

Radio Kosova: Të ndalemi pak, profesor, te kritika letrare, se keni bërë një punë shumë të madhe shumëvjeçare me kritikë letrare. Metodat e vlerësimit kritik a dallojnë nga ato në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni?

Akademik Ali Aliu: Për periudhat që thashë, që zhvillohej në dy sisteme, realizëm socialist dhe letërsi e hapur, ka pasur, natyrisht. Edhe kritika e atëhershme në Shqipëri promovonte vepra që e përkrahnin, i besonin socializmit, i besonin personazhit pozitiv në këtë frymë.

Këtu ka qenë njësoj si letërsia, edhe kritika pak më e hapur. Natyrisht, edhe kritika e këtushme në ish-Jugosllavi përfitonte pak nga fryma demokratike që kishte kritika në Zagreb, Lubjanë e ku di unë.

Nuk vinte qind për qind e tillë edhe në Kosovë, por ishte më e hapur se ajo në Shqipëri.
Këtu lindi një brez i kritikës së parë më të shquar në fillimet e asaj periudhe të letërsisë.
Këtu ishin Esad Mekuli, Vehap Shita. Më vonë erdhi brezi tjetër: Rexhep Qosja, Mensur Raifi.
Pas këtij brezi, ai i shkrimtarëve e i poetëve më të shquar solli edhe kritikë të shquar, si Sabri Hamiti, bie fjala.

Edhe kritika, në një mënyrë, ecte hapave të trendeve të saj, nganjëherë edhe me një frymë që mund të shkonte pak para, si teori, para trendeve të poezisë e të prozës, por gjithsesi ka qenë një shtyllë që krijoi fizionominë e vet. Asokohe ka qenë më e pranishme kritika, për arsye se kishte interesim publik.

Çdo botim letrar, çdo libër në prozë, në poezi, në dramaturgji, i shkrimtarëve me emër apo i shkrimtarëve të rinj me librat e parë, patjetër do të shënohej publikisht, patjetër do të vlerësohej që në fillim.

Shtëpia botuese “Rilindja” gjithnjë çdo dorëshkrim e dorëzonte nën penën e dy lexuesve kritikë, recensentë, që do të jepnin vlerësimin e tyre, që do të lejonin të botohej ose jo, që do të sugjeronin të botohej me ose pa ndryshime.

Kjo e bënte edhe kritikën zhanër letrar, si përcjellës gati të domosdoshëm, që i bënte mirë edhe letërsisë, edhe lexuesit. Që përkrahte talentët e dalluar, sidomos më të talentuarit, më pak të talentuarit, dhe si e tillë ajo edhe si zhanër përkrahej nga botuesit.

Gazetat zgjidhnin kritikë recensentë të përhershëm në gazetat e veta. Merrnin rrogë vetëm për këtë profesion, që nuk ekziston sot. Botimet bëjnë kalkulimin e vet: çfarë fitojnë më shumë e çfarë më pak; çfarë lloj shkrimesh, reklamash përthithin dhe afrojnë më shumë lexues dhe shikues sesa analiza kritike.

LETËRSIA NË EPOKËN DIGJITALE

Radio Kosova: Në një kohë kur lexuesi është më i shpejtë dhe është më pak i durueshëm në këtë shpejtësi, a mendoni se letërsia po detyrohet ta thjeshtojë gjuhën e vet për të mbijetuar, apo nuk i detyrohet askujt? Do të jetojë dhe mbijetojë pavarësisht?

Akademik Ali Aliu: Nuk kam përshtypje që letërsia të ndjek fuqinë pranuese të lexuesit, formimin dhe shijen e lexuesit. Besoj që është e pavarur nga kjo. Një letërsi që kërkon, njësoj siç kërkojnë emisione serioze letrare, kulturore e artistike nëpër televizione, duke lakmuar klikime me uljen e kritereve, nganjëherë edhe me joseriozitet dhe me banalitet, për të rritur shikueshmërinë.

Arti, flas për artin letrar, se ne shijojmë dhe përjetojmë edhe arte të tjera, sidomos artin muzikor, që është pak a shumë tash në perceptime në vendet e para. Fatkeqësisht, edhe talente nën mesatare janë çdo ditë në reklamë dhe kanë shikueshmëri shumë më të madhe se një poet i talentuar që do të mbetet përjetë. Përjetojmë edhe kriza të tilla, fatkeqësisht. 

Radio Kosova: Një ditë, një shoqe e imja që jeton larg po më shkruante: “Të përqafoj elektronikisht”. Si u bëka kjo punë! Apo e vjedh epoka digjitale shpirtin e njeriut dhe, në veçanti, të artistit?

Akademik Ali Aliu: Tash ky kapitulli i pyetjes më fut në një sferë ku unë nuk e ndjej veten shumë kompetent.Se çfarë do të bëhet… ritmi i befasive që dikur na vinin njëherë në 10 a 15 vjet, tani na vijnë brenda ditës.

Nuk e di çfarë do të ndodhë, sidomos me këtë inteligjencën artificiale.Nuk e di sa po fiton njeriu me të, çfarë fiton dhe sa humb, dhe sa do të humbë. Por një gjendje pak a shumë konfuze ekziston, një periudhë konfuze, jo me një qartësi figurative që njeriu, me vetëbesim të plotë, ta pranojë ose jo, të shkelë në këtë hapësirë të re ose jo.

Përjetojmë çaste që para 20 vitesh s’mund të na i kapte as imagjinata. Dhe unë besoj në një gjë: tash nuk duhet të priten 20 vite, por besoj që edhe brenda një viti ose dy mund të lindë diçka që ne sot s’e mendojmë dot.

Jetojmë në një periudhë të tillë që, sa mund të ndihet interesante, sa mund të ndihet me një kërshëri që në imagjinatën e njeriut krijon vizion të paimagjinueshëm, është një periudhë që do ta kalojë si fazë njerëzimi, besoj.

Radio Kosova: E mira, mbase, është se libri po del shpejt, po lexohet edhe online, në telefon, iPad. Do t’i ketë gjithmonë autori lexuesit e vet, apo jo?

Akademik Ali Aliu: Po, unë tash natyrisht nuk veçohem nga brezi im, që po rrallohet çdo ditë.
Edhe sot, para se të vij këtu, ktheva te ky gazetëshitësi që është në fqinjësi me ju dhe bleva gazetat që i blej aty çdo javë, që dalin në Tiranë, ato dy-tri që vijnë këtu.

Në Tiranë ishin ende gati 10 gazeta dhe unë jam mësuar me atë që ta prek gazetën. Çdo mëngjes në Tiranë e kaloja gjysmë ore me gazetat e atjeshme, në një kafe që ishte aty afër hotelit. Bile u bëra gati 10 ditë i përditshmi atje: shkoja dhe pija një kafe ose dy me gazeta. Edhe formimi i brezit tim është kështu.

Radio Kosova: Kafeja nuk është vetëm për t’u pirë; shoqërohet me gazeta, me erën e saj. Fatkeqësisht, nuk arritëm ta mbijetonim asnjë gazetë ditore, as periodike!?

Akademik Ali Aliu: Bindjet e mia janë që kanë gabuar këta që hoqën dorë fare. Edhe në Maqedoni shkoj shpesh; në Shkup botohen dy-tri gazeta në shqip. Nuk hoqi dorë nga gazetat letër, në hapësirën ballkanike, sa di unë, asnjë. Pse e bëri Kosova këtë? Sigurisht kanë bërë kalkulime financiare.

Radio Kosova: Kujtoj që edhe brezat që vijnë do të kenë lexues që librin do ta duan ta prekin në formën më origjinale të mundshme, pavarësisht se çfarë kohe do të vijë, si do të sistemohet libri, ku do të ruhet.Mbase edhe bibliotekat nuk do të ekzistojnë më; mbase do të digjitalizohet i tëri.

Akademik Ali Aliu: Do të bëhen si figura. Biblioteka e Borges-it besoj do të mbetet në imagjinatën e njeriut, ajo biblioteka e tij që ishte një univers njerëzor, si e përjetonte ai.Kjo do të thotë që… ku e dëgjova një ditë një idiomë të tillë: njeriu e di që historia s’ka fund dhe gjithnjë do të ecet drejt një fundi që s’ka, por ajo do të shënohet si histori, do të lërë gjurmë. Historia s’ka fund.

Dhe besoj se kështu do të vazhdojë të regjistrohet në mbamendjen e njerëzimit, si një ecje që s’përfundon, që do të shënohet, do të lërë gjurmë.

Radio Kosova: Urojmë të jetë kështu! Faleminderit shumë për kohën tuaj! Ju dëshiroj shëndet të plotë e jetë të gjatë!

Akademik Ali Aliu: Ishte kënaqësi që me pyetjet më nxitët disa kujtime të mira, të bukura, por disa edhe dëshpëruese nga pak.

Të urojmë… unë kam të uroj tani se e kam brezin e katërt, nip të nipërve, kështu që kam çka të uroj, dhe kam në vizionin tim besimin se ky regjistrim do të vazhdojë si një familje e vetme kolektive, do të vazhdojë kështu.

Radio Kosova: Të shpresojmë! Shëndet e të mira, profesor!
Akademik Ali Aliu: Faleminderit! Faleminderit! Edhe njëherë, kënaqësi!


MË SHUME NGA Kulturë