Më 21 prill shpallet aktgjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt
Donika Sherifi| RTK
(E plotësuar, ora 12:57) Gjyqtarja e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor. Shpallja e aktgjykimit bëhet më 21 prill, në orën 13:30, për rastin e Naim Murselit dhe të tjerëve. Të akuzuarit nuk do të marrin pjesë në shpalljen e vendimit.
( e plotësuar, ora 12:13) Po mbahet seanca e fundit gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Avokati i Granit Plavës, Skënder Gojani, tha se mbrojtja i propozon kësaj gjykate që të pandehurin Granit Plava ta shpallë të pafajshëm për veprën penale “vrasje e rëndë”, sepse drejtësia është të mos dënojë një person kur nuk ka prova.
Naim Murseli në fjalën përfundimtare, tha as nuk e ka organizuar, as nuk e ka planifikuar e as nuk e ka parë vrasjen, as ai e as fëmija.
"Ju betohem se Naim Murseli nuk ka qenë fare në veturë në momentin e vrasjes. Naim Murseli, ju betohem, nuk ka paguar për vrasjen; kjo është e vërteta. Nga ju pres një vendim të drejtë, të ketë drejtësi për Liridonën dhe nuk jam kundër. Liridona meriton drejtësi të plotë. Po të keni parasysh që integriteti juaj të jetë në nivel të lartë, këtë e pres nga ju", tha ai.
Familja Ademaj kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.
“Kërkojmë që dënimi të jetë burgim i përjetshëm dhe çdo dënim tjetër do ta denigronte vendin dhe shoqërinë për këtë krim makabër. Vetëm dënimi i tyre e lehtëson sadopak dhimbjen tonë”, tha ai.
Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, tha se sot flet në emër të asaj që nuk është këtu, në emër të fëmijëve të saj, familjes së saj dhe në emër të gjithë popullit që bashkëndjen me këtë rast.
“Që nga seanca e shqyrtimit fillestar dhe në secilën seancë, është argumentuar vetëm ajo që është thënë në fillim, se ky krim makabër do të zbardhet nga ata që e kanë kryer, duke akuzuar njëri-tjetrin”, tha ai.
"Kurrë s’kemi pas rast kur tre burra për një vit kanë bërë plan me vra një grua e mandej mundohen secili me e akuzu tjetrin. Është argumentuar se bashkërisht kanë punuar për një vit dhe kanë organizuar vrasjen dhe, nëse për vrasje të tjera është shqiptuar dënim i përjetshëm, s’kemi dënim më të madh, kështu që kemi vetëm dënim të përjetshëm", tha avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, tha se për ta si familje, nuk ka qenë e lehtë kjo periudhë trevjeçare. "Kemi zgjedhur besimin në vend të zhgënjimit, kemi treguar kulturë dhe kemi heshtur në shumë momente kur nuk është dashur të heshtet. Në këtë ditë, për ne që kemi ndjekur këtë proces, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se Naimi e ka organizuar këtë vrasje me Kushtrimin, duke zgjedhur Granitin si vrasës. 22 kamera kanë kapur Naimin, Granitin dhe Kushtrimin. Ne kemi parë përputhshmërinë e deklaratave që lidhen me njëra-tjetrën", tha ai.
Ai tha se pasi u takuan me fëmijët, mësuan se ata ishin kundër babait të tyre dhe sot ende nuk pranojnë të flasin me të.
Prokuroria kërkon që tre të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm
( e plotësuar, ora 10:50) Prokuroria kërkon që tre të akuzuarve t’u shqiptohet dënimi maksimal për veprën penale vrasje e rëndë, gjegjësisht dënim me burgim të përjetshëm.
Seanca e fundit gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për rastin e Liridona Ademajt, ku po paraqiten fjalët përfundimtare të palëve.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale në procedurën hetimore, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri me rrethanat e kryerjes së veprës penale, si dhe pas paraqitjes së provave të mbrojtjes së të akuzuarve, po e përmbyllim këtë proces gjyqësor i cili ka sqaruar një krim makabër, vrasjen e Liridona Ademaj Murselit, të kryer më 29.11.2023 para dy fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale i kanë pasur 4 dhe 6 vjet.
“Djali i madh gjatë vizitës te psikologu ka thënë: “Hajni e futi dorën dhe ia boni mamit bam”. Edhe dëshmitari ekspert, i cili ka kryer autopsinë e të ndjerës Liridona, ka theksuar se në anën e majtë ka pasur një hematomë dhe se koha e shkaktuar i përshtatet kohës jo më tepër se një orë para vrasjes. Kur është pyetur nëse është e njëjta, gjegjësisht ajo e nxira, dhe a ka mundur të shkaktohet nga gishti i dorës, ka thënë se ekziston kjo mundësi”, tha ajo.
Sa i përket dëshmitarëve tjerë, të gjithë i kanë përsëritur deklaratat e dhëna, por ndoshta është interesante të ceket dëshmitari Aurel Pajaziti, i cili gjatë dëshmisë në trupin gjykues është pyetur në momentin e dhënies së veturës hua për Granit Plavën, a ka qenë me të edhe ndonjë person dhe a është ai person në sallë. “I njëjti nuk e ka njohur personin i cili ka qenë me Granitin, por gjatë dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve edhe Graniti edhe Naimi e kanë pranuar që gjatë huazimit të veturës së llojit Seat, që në ditën kritike e ka shfrytëzuar Granit Plava, me të ka qenë edhe i akuzuari i parë Naim Murseli, të cilët së bashku kishin shkuar me veturën e tij”, tha Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq.
Secili nga të akuzuarit veten e ka paraqitur si një person që nuk ka asgjë me kryerjen e veprës penale, duke ia ngarkuar fajësinë të akuzuarve të tjerë, e që “mekati” më i madh i vet është njohja e dy të akuzuarve të tjerë.
I akuzuari Naim Murseli në mbrojtjen e tij përpiqej të tregonte veten si një person human dhe njeri të gatshëm që t’u ndihmojë të tjerëve. Ashtu edhe kur e ka njohur Granit Plavën, ka filluar t’i japë para me arsyetimin që t’i gjinden. Mirëpo në shqyrtimin gjyqësor nuk e ka pranuar se të njëjtin po e akuzon pa kurrfarë arsyeje, duke thënë se njeriu që vetëm i ka ndihmuar në jetë, Granit Plava, ia ka vrarë bashkëshorten, duke mos pasur aspak dilemë se ai ka qenë Granit Plava, edhe pse sipas fjalëve të tij, personi që ka dalë para veturës ka qenë i maskuar.
Duke pasur parasysh faktin që tërë pasditen e ditës kritike kur ka ndodhur vrasja, i akuzuari i parë Naimi ka kaluar së bashku me të akuzuarin e dytë Granit Plavën dhe me këtë rast ia ka blerë revolen me të cilën Graniti e ka vrarë Liridonën.























