Osmani takon këshilltarin e Trump: Falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar me Këshilltarin Special të Presidentit amerikan, Massad Boulos.
Pas takimit, Osmani thotë se ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për, siç është shprehur ajo, mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës nga administrata e Donald Trump, përfshirë edhe ftesën që Kosova të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“Shpreha gjithashtu shpresën time që kjo mbështetje për popullin e Kosovës do të vazhdojë, ndërsa punojmë së bashku për të avancuar paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do të vazhdojë të jetë vendi më pro-amerikan në botë”, ka shkruar Osmani.
Po ashtu, Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë këtij viti, në Forumin Diplomatik të Antalisë, ka pasur rastin të falënderojë liderët që kanë mbështetur Kosovën dhe kanë qëndruar pranë popullit të saj.
Me këtë rast, Osmani ka shprehur mirënjohje ndaj Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, si dhe ndaj Kryeministrit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.























