Bashkëpunim mes IKKL-së e ARC-së për qasje në të dhëna
Valmira Saraçi|RTKlive
Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë do të ketë mundësi të ketë qasje në të dhënat relevante të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Kjo pasi Atdhe Hetemi që kryeson Institutin për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, kanë vënë nënshkrimet e tyre në memorandumin e bashkëpunimit që ka synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në realizimin e mandatit të tyre.
“Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i një kornize të qëndrueshme dhe të strukturuar bashkëpunimi, përmes së cilës Agjencia e Regjistrimit Civil do të ofrojë mbështetje institucionale për Institutin”, thuhet në njoftimin e MPB-së në kuadër të së cilës funksionon kjo agjenci.
Thuhet se nënshkrimi i këtij memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve institucionale dhe do të kontribuojë në dokumentimin e saktë dhe gjithëpërfshirës të proceseve në fushëveprimtarinë e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës.























