Analistët në RTK Prime: Pamundësi reale për të prodhuar zgjidhje politike
BKT
Në Fokus

Analistët në RTK Prime: Pamundësi reale për të prodhuar zgjidhje politike

Kimete Kosumi, Shqipe Gashi / RTKlive

Në emisionin “RTK Prime”, analistë dhe njohës të çështjeve politike kanë diskutuar për krizën politike në Kosovë dhe përpjekjet e dështuara për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Analisti Sadik Zeqiri tha se është besuar që do të gjendej një zgjidhje mes subjekteve politike, duke theksuar se “njëra nga partitë opozitare do të lëshojë pe dhe do të votohet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje”. Megjithatë, ai shtoi se “Vetëvendosja nuk ia ka lënë rastësisë” dhe ka ndërmarrë hapa për të përmbyllur procedura dhe për të bërë emërime në institucione, në rast se dështon zgjedhja e presidentit. Sipas tij, “më shumë kanë qenë të përgatitur që vendi të shkojë në zgjedhje”, ndërsa për negociatat tha se “Kurti nuk e ka hedhur fare ofertën për presidentin, por ofertën për bashkëqeverisje”. Ai e cilësoi ofertën si jo serioze, duke shtuar se “ose do të zgjidhet president kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, ose nuk do të ketë kandidat të partive opozitare”.

Analistja Fatime Hajdari u shpreh se vendi po përballet me një situatë të ndërlikuar pas procesit zgjedhor, duke theksuar se “pa u formuar mirë institucionet vendi po shkon në proces të ri zgjedhor”. Ajo vlerësoi se insistimi për emërime në institucione është i nevojshëm, pasi “nëse shkojmë në zgjedhje të reja me gjithë këtë vakum institucional, shteti po shkon drejt kaosit”. Sipas saj, “nuk duhet menduar gjithmonë vetëm për pushtetin, duhet menduar edhe për shtetin”.

Politologu Melazim Koci foli për ofertat e Vetëvendosjes ndaj LDK-së dhe PDK-së, duke theksuar dallimin mes ofertës aktuale dhe asaj të mëparshme. Ai tha se më herët bashkëqeverisja “do të ishte e vërtetë”, pasi LDK do të mund ta rrëzonte qeverinë, ndërsa tani “kjo nuk e ka atë efekt”. Sipas tij, “tani është pozicion më inferior i Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Koci shtoi se vendi është “në rrezik shumë të madh si shtet i ri dhe si demokraci e re”, duke përmendur se “nuk jemi as në NATO, as në BE, as në Kombet e Bashkuara”.

Ndërkaq, politologu Dorajet Imeri tha se mundësitë për zgjedhjen e presidentit janë shteruar, duke deklaruar se “qëndrimet përjashtuese… e kanë mbyllur gjithçka”. Ai theksoi se “është parë pamundësia reale për të prodhuar zgjidhje politike”, ndërsa shtoi se “PDK doli me deklaratë dhe tha se kontributi ynë në zgjedhjen e presidentit është i përfunduar” duke përfunduar se “faktorë të tjerë nuk ka që të na garantojnë procesin”. 


MË SHUME NGA Në Fokus