Kosovë - Japoni, bashkëpunim për uljen e ndotjes së ajrit
BKT
Në Fokus

Kosovë - Japoni, bashkëpunim për uljen e ndotjes së ajrit

Valjete Shala /RTK

Ndotja e ajrit mbetet një nga sfidat kryesore mjedisore në Ballkanin Perëndimor, ndërsa autoritetet dhe partnerët ndërkombëtarë po intensifikojnë bashkëpunimin për adresimin e saj.

Në këtë kuadër, Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me JICA organizoi Seminarin Rajonal të Ballkanit për Kontrollin dhe Menaxhimin e Ndotjes së Ajrit në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Japonisë dhe JICA-s në zhvillimin e vendit:

“Mbështetja e Japonisë dhe JICA-s nuk është thjesht një ndihmë teknike; ajo është shtyllë e qëndrueshmërisë sonë që nga ditët e para të pasluftës e deri më sot. Ajo ka qenë pranë nesh në momentet më kritike të rindërtimit, duke u shndërruar në një partner strategjik që ka kontribuar në shumë sektorë.”

Nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, Tanigaki Hiroyasu u shpreh se cilësia e ajrit është prioritet dhe se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm:

“Japonia promovon iniciativën e Ballkanit Perëndimor dhe inkurajon bashkëpunimin e ngushtë. Cilësia e ajrit është prioritet dhe ajri i pastër është thelbësor për shëndetin.”

Ndërkohë, zv. drejtori për Mjedis Global në JICA, Suzuki Tadashi, tha se agjencia i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon:

“JICA i kushton rëndësi të madhe mbështetjes së vendeve të këtij rajoni në përpjekjet e tyre drejt zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe anëtarësimit në BE. Kontrolli i ndotjes së ajrit është një nga fushat kyçe në këtë drejtim.”

Seminari do të vazhdojë edhe të enjten, me fokus prezantimin e punimeve të pjesëmarrësve lidhur me vlerësimin, matjen dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit.


MË SHUME NGA Në Fokus