Diskutim mbi artin dhe botën e video-lojërave në GKK
Shqipe Gashi|RTKlive
“Galeria Kombëtare e Kosovës njofton se nesër, nga ora 18:00, do të organizojë një diskutim me temën ‘Mes Realiteteve / Between Realities’.”
Ngjarja do të mbahet në hapësirën Qafa dhe synon të sjellë një qasje ndërdisiplinore, duke ndërthurur artin bashkëkohor me dizajnin dhe zhvillimin e video-lojërave.
Në këtë bisedë do të marrin pjesë artistja Laureta Hajrullahu dhe zhvilluesit e lojërave Lekë Sahatqija dhe Petrit Hoxha, të cilët do të trajtojnë video-lojërat si një formë arti, rolin e tyre në hapësirat muzeale dhe galeritë, si dhe raportin mes realitetit fizik dhe atij digjital.
Ky aktivitet pritet të ofrojë një perspektivë të re mbi zhvillimet bashkëkohore në art dhe teknologji, duke i afruar këto dy botë gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën.























