Tahiri: Eliot Engel mbështeti Kosovën në vitet më të vështira
BKT
Lajme

Tahiri: Eliot Engel mbështeti Kosovën në vitet më të vështira

Emine Hoti/RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar lart figurën e kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në periudhat më të vështira.

Gjatë seancës përkujtimore në Kuvend të iniciuar nga Ramush Haradinaj, Tahiri theksoi se mirënjohja dhe respekti për miqtë e vendit janë ndër vlerat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

“Sot po e falënderojmë një burrë të madh të kombit amerikan, një njeri që u bë më shqiptar se shqiptari në mbrojtje të të drejtave tona në vitet ’90”, deklaroi ai.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës po bën një akt të rëndësishëm shtetëror dhe historik duke nderuargongresmenin  Engel, duke shtuar se kjo është më shumë se një seancë përkujtimore, por një shprehje e qartë e mirënjohjes së shtetit të Kosovës.

Tahiri theksoi se rruga e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë është ndërtuar mbi sakrificën e popullit, por edhe mbi mbështetjen e fuqishme të aleatëve, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai rikujtoi rolin e Engel-it që nga vitet e represionit, duke e cilësuar atë si një ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin amerikan për të drejtat e shqiptarëve.” Që nga vitet e represionit, ai ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve. Ai mbështeti fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s, duke kontribuar në ndaljen e tragjedisë”, tha ai.

“Edhe pas luftës, ai mbeti përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e pavarësisë dhe në afirmimin ndërkombëtar të saj dhe marrjen e njohjeve ”, shtoi Tahiri.

Ai bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të vendosë një memorial për kongresmenin Engel në ambientet e tij, në mënyrë që kontributi i tij të përkujtohet përgjithmonë.


MË SHUME NGA Lajme