Çitaku: Eliot Engel ndërtoi ura të fuqishme për Kosovën në SHBA
Shqipe Gashi|RTKlive
Në një seancë të Kuvendit të Kosovës në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan Eliot Engel, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, vlerësoi rolin dhe kontributin e tij në fuqizimin e mbështetjes për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo rikujtoi përvojën e saj si ambasadore në SHBA, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve në skenën politike amerikane, emri i Kosovës ishte tashmë i njohur dhe i mbështetur falë angazhimit të vazhdueshëm të Engelit.
Çitaku nënvizoi se në shumë takime me zyrtarë amerikanë, ajo haste mirëkuptim të menjëhershëm për çështjen e Kosovës, gjë që, sipas saj, ishte rezultat i punës së palodhur të kongresmenit Engel ndër vite.
“Më kujtohet dita kur zbrita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ambasadore, me një ndjenjë përgjegjësie që më rëndonte mbi supe dhe me një vendim të thjeshtë në mendje: të takoj sa më shumë njerëz, të flas e të dëgjoj, të krijoj miq për Kosovën. Peizazhi politik në SHBA kishte ndryshuar shumë; kishte shumë kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë që kishin marrë detyra të reja dhe shumë prej tyre nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë historike, politike apo emocionale me Kosovën. Takime të pafundme në korridoret e institucioneve, në zyra të vogla e në salla të mëdha ku vendimet marrin formë, por diçka e pazakontë ndodhte vazhdimisht: sa herë filloja të flisja për Kosovën, për rrugëtimin tonë, për plagët tona, për shpresat tona, përballë meje nuk kishte habi, nuk kishte pyetje të para, kishte një buzëqeshje të lehtë dhe një pohim të qetë: ‘E dimë’. Pastaj, sikur një refren, përsëritej pothuajse në çdo cep të Uashingtonit: ‘Na ka treguar Eliot Engel’. Në fillim mund të duket rastësi, pastaj një rastësi që përsëritet shpesh, e më pas e kupton: nuk po fillonim nga e para sepse dikush kishte qenë aty para nesh, dikush kishte folur e kishte shpjeguar dhe kishte bindur e kishte ndërtuar ura të padukshme, por të fuqishme, mes një vendi të vogël dhe një bote të madhe. Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë”, tha Çitaku.
Ajo përfundoi se figura e Eliot Engel përfaqëson një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtarë në mbështetje të Kosovës dhe një dëshmi të miqësisë së qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.























