Nagavci nga Kuvendi për zgjedhjen e presidentit: Shteti nuk pret
Valmira Saraçi|RTKlive
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, derisa ka kujtuar akademikun Rexhep Qosja, tha se ai do të mbetet përjetësisht aktual.
Ajo tha se Qosja ishte ndër ata zëra që nuk i përkasin vetëm kohës së vetë, por një standardi të mendimit kritik të fjalës së drejtpërdrejt dhe i përgjegjësisë publike që nuk kërkon vërtetësi.
Nagavci, tha se Qosja nuk e pranoi mjegullën si metodë, ai kërkoi qartësi. E këtu fjalën e saj ajo e lidhi me situatën aktuale për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
“Për të problemi nuk ishte se e vërteta nuk dihej, problemi ishte se shpesh ajo nuk thuhej, e kur nuk thuhet ajo zëvendësohet me justifikime. Kjo është arsyeja se pse Rexhep Qosja do të mbetet përjetësisht aktual, sepse ai nuk e kritikoi vetëm kohën e vetë, ai e kritikoi një mënyrë të të bërit politikë që për fat të keq vazhdon të shpërfaqet edhe sot, pra shmangia e vendimit, relativizmi i përgjegjësisë, zëvendësimi i qëndrimit me kalkulim”, tha ajo.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, tha se bese do të ndiqej logjika e Rexhep Qosjes, nuk do të kishte shumë mjegull.
“Ja pra ku jemi edhe ne mu përballë pasqyrës që na e la profesor Qosja. Zgjedhja e presidentit është një provë e qartësisë sonë politike, sepse presidenti nuk është vetëm një funksion, është simbol i mënyrës se si ne e kuptojmë shtetin e unitetin. Në këtë proces, dallimet janë të dukshme, ka nga ata që e trajtojnë si detyrim institucional dhe ka nga ata që e përdorin si mjet bllokimi, nuk janë të njëjta. Nëse do të ndiqnim logjikën e Rexhep Qosjes nuk do të kishte shumë mjegull. Kur vendimi shtyhet për vendime partiake, përgjegjësia është shmangur. Ne si shumicë e kemi të qartë qëndrimin tonë. Ky proces duhet të përmbyllet, sepse shteti nuk mund dhe nuk duhet të mbahet pezull. Presidenti duhet të dal nga një proces i rregullt e të përfaqësojë unitetin e Republikës. Por, uniteti nuk ndërtohet duke mos marrë pjesë, ndërtohet duke vendosur, dhe këtu është thelbi. Shteti nuk pret, ai kërkon vendime, e dimë të gjithë se çfarë do të na kishte thënë Rexhep Qosja, këtu në këtë sallë”, tha Nagavci .























