Serbia vazhdon me narrativë hegjemoniste |Video
Visar Shatrolli / RTK
Xhandarët serbë marshojnë në fshatin Vlasinë të Serbisë, në kufirin me Bullgarinë, teksa marshimi i tyre përcillet me këngë nacionaliste serbe, ku theksi është Kosova.
Madje përmes vargjeve, ata nisen në Kosovë, vend ku, sipas tyre, ua ka caktuar fati. Përpjekje kjo për të mbajtur gjallë narrativën hegjemoniste serbe ndaj Kosovës. Këtë fakt e përforcon edhe më shumë publikimi i këtyre pamjeve në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Një qasje e këtillë, nga këndvështrimi i njohësve të fushës së sigurisë, rishfaq përpjekje taktike dhe propagandistike për ta kërcënuar Kosovën, por edhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes një mentaliteti që nuk dallon nga ai i para tri dekadave.
"Si pikë fillim gjithmonë e kanë Kosovën pasi atë e kanë hiperbolizuar dhe mitizuar, dhe në këtë formë duke u nisur nga perspektiva e Kosovës i kërcënojnë edhe fqinjët tjerë sepse pika ku ata e kanë marrë një iniciativë të tillë nuk është shumë larg edhe me pikën strategjike në Nish, e cila ka të bëjë me bazën ruse dhe po ashtu është afër me kufirin e Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut", ka thënë Gurakuq Kuçi nga instituti “Octopus”.
"Për qasjen e atij estabilishmenti politik atje është në rrjedha edhe Republika e Kosovë, por edhe Bosnja e Hercegovina por edhe Ballkani në tërësi, sepse fatkeqësisht mendësia e tyre as nuk ka qenë përpara e ndryshuar as nuk është tash e ndryshuar dhe nuk do të jetë as në të ardhmen. Me rëndësi që në Republikën e Kosovës të gjitha institucionet e sigurisë janë të konsoliduara", ka thënë Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, vazhdon të përdorë retorikë dhe qasje politike me karakter hegjemonist ndaj Kosovës.
Së fundmi, ai është përpjekur të justifikojë veprimet e tij kërcënuese ndaj vendeve të rajonit, duke e arsyetuar armatosjen e Serbisë me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.























