I refuzohet viza,humb punën në Norvegji dhe ndalohet në Schengen për 5 vite
Alban Selimi / RTK
Një përgjigje zyrtare, e cila më vonë u shpall e gabuar nga vetë institucioni që e kishte lëshuar, dyshohet se i ka kushtuar Getmir Thaqit nga Duboviku i Deçanit me refuzimin e vizës së punës, humbjen e vendit të punës në Norvegji dhe ndalim hyrjeje në zonën Schengen për pesë vite.
Gjithçka nisi kur autoritetet norvegjeze kërkuan verifikim të dokumentacionit shkollor të Thaqit, të lëshuar nga institucionet arsimore në Kosovë.
Ish-shefi i Inspektoratit, tashmë në pension, Fadil Kelmendi, i cili kishte kthyer përgjigjen fillestare, nuk ka pranuar të japë sqarime se si ka ardhur deri tek ky përfundim. Dy vite më vonë, i njëjti institucion e tërhoqi këtë qëndrim. U anulua procesverbali, vendimi mbi të cilin ishte bazuar konstatimi fillestar, si dhe përgjigjja e dërguar autoriteteve norvegjeze.
“Aktet e mëparshme janë nxjerrë mbi bazën e vlerësimit të gabuar faktik, me ç’rast anulohen konform dispozitave të Ligjit për Procedurën Administrative”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga shefi i Sektorit të Inspektoratit Arsimor në Pejë, Ilir Shatri.
Ndonëse konstatimi zyrtar rezulton i gabuar, pasojat për Thaqin vazhdojnë. Sipas Inspektoratit, për korrigjimin është njoftuar edhe Ambasada norvegjeze në Ankara.
Ndërkohë, pala e dëmtuar thotë se ka angazhuar një avokate në Norvegji dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore për pasojat e shkaktuara.
RTK ka kërkuar sqarime edhe nga autoritetet norvegjeze nëse rasti do të rishqyrtohet dhe nëse masat ndaj Getmir Thaqit do të hiqen.























