Tahiri: Qosja mbetet vetëdije e gjallë e kombit shqiptar
Në seancën përkujtimore të mbajtur në Kuvendin e Kosovës për akademikun Rexhep Qosja, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar lart figurën e tij, duke e cilësuar si një personalitet që ka tejkaluar kohën dhe ka mbetur i gjallë në ndërgjegjen kombëtare.
Tahiri tha se liria, pavarësia dhe shteti i sotëm kanë rrënjë në sakrificën dhe punën e intelektualëve shqiptarë, ndër ta edhe Qosja.
“Se liria dhe pavarësia dhe shteti që e gëzojmë sot i ka rrënjët thellë në sakrificë, në punë e në veçanti në intelektualë të fuqishëm të kombit tonë, të cilët nuk u dorëzuan dhe punuan në kohët më të vështira të Jugosllavisë e të Serbisë, na e vërteton shkrimtari dhe veprimtari që nuk do të vdesë kurrë, akademiku Rexhep Qosja”, tha ai.
Ai theksoi se ekzistojnë figura që nuk treten me kohën, por bëhen pjesë e vetëdijes së një kombi.
“Ka njerëz që jetojnë brenda kohës së tyre, por treten me kohën, por ka edhe të tillë që e kapërcejnë kohën, që nuk mbeten vetëm kujtim, por bëhen vetëdije dhe një prani e gjallë në ndërgjegjen e një kombi shqiptar”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, Qosja nuk është vetëm emër, por një mendim që vazhdon të jetojë.
“Në këtë kuptim qëndron akademik Rexhep Qosja jo thjesht si një emër, por si një mendim që vazhdon dhe do të vazhdojë të jetojë përtej vetes”, deklaroi ai.























