Isak: Goli ndaj Crystal Palace më ndihmon të rikthej formën
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Sulmuesi i Liverpool-it, Alexander Isak, është shprehur i lumtur pas golit të parë në Premier League me fanellën e klubit, në fitoren 3-1 ndaj Crystal Palace.
“Në atë moment m’u duk se goditja nuk po shkonte në portë, kështu që e kontrollova dhe u bë një prekje e mirë. Pastaj arrita ta dërgoj në rrjetë”, tha ai për faqen zyrtare të klubit nga ‘Anfield’.
“Kam qenë duke u përpjekur të rikthehem në formën optimale dhe shënimi i një goli është ndoshta mënyra më e mirë për ta gjetur formën përsëri. Jam shumë i lumtur”, theksoi Isak.
Sulmuesi suedez vlerësoi edhe paraqitjen e portierit Freddie Woodman.
“Ai bëri një punë fantastike. Nuk është kurrë e lehtë të futesh në lojë, sidomos si portier, ku duhet të jesh gjithmonë gati edhe kur nuk luan shpesh. Është shumë e rëndësishme ajo që bëri sot. Mendoj se e meritonte portën e paprekur. Ishte një paraqitje shumë e fortë nga ai”, përfundoi Isak.























