Bashkëpunim i ri mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të Belgjikës
Kimete Kasumi/ RTKlive
Një takim i rëndësishëm bashkëpunimi u zhvillua mes drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, Sara Lammens.
Sipas njoftimit, në takim ishte i pranishëm edhe kryenegociatori dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, e gjithashtu Kimete Mitrovica Basha nga fondacioni Ydriz Basha i Novosejt.
"Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bibliotekarisë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore", thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u njoh nga afër me ambientet dhe funksionimin e Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, duke përfshirë koleksionet e veçanta, dorëshkrimet dhe librat e rrallë. Po ashtu, u prezantuan proceset moderne të digjitalizimit dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të materialeve bibliotekare.
"Kjo vizitë shërbeu si një mundësi e vlefshme për përfitim profesional dhe shkëmbim përvojash, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe zhvillim të mëtejshëm institucional", thuhet tutje në njoftim.























