Hamza: Procesi për zgjedhjen e presidentit është kundërkushtetues
BKT
Lajme

Hamza: Procesi për zgjedhjen e presidentit është kundërkushtetues

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Pas seancës së sotme për çështjen e presidentit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar zhvillimet, duke i cilësuar si shkelje të rendit kushtetues.

“Po vërehet që kjo kohë vendin po e kalon në një situatë bukur komplekse, po sonte mosserioziteti, papërgjegjshmëria e kanë mbërritur kulmin. Ky është një puç kushtetues”, deklaroi Hamza.

Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë prezentë në sallë dhe të votojnë që të konsumohet raundi i parë”, tha ai.

Hamza theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Vazhdimisht kemi thënë që për neve vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen, edhe atëherë kur ne mundemi me pasë ndonjë koment, po prapëseprapë janë vendime që respektohen”, u shpreh ai.

Sipas tij, procedura për zgjedhjen e presidentit është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kjo çka ka ndodhur sonte, veç ka ndodhur shkelja kushtetuese. Është hyrë në procedurë të votimit çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, në mënyrë kundërkushtetuese”, tha Hamza.

Ai kërkoi ndërprerjen e kësaj praktike, duke theksuar se mund të rrezikohet stabiliteti politik dhe funksionimi i institucioneve.

“Dhe kjo praktikë duhet të ndërprehet. Duhet të ndërprehet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik, të ruhen institucionet e vendit”, deklaroi ai.

Hamza hodhi kritika edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, duke i bërë përgjegjës për situatën.

“Në të kundërtën, sigurisht se ka rrezik edhe ky rrezik ka adresë, e adresa e kësaj është Lëvizja Vetëvendosje dhe zotëri Kurti”, tha ai duke theksuar se nuk ka pasur vullnet për funksionalizimin e institucioneve.

“Prej datës 25 dhjetor deri më sonte nuk ka pasur as sinqeritet, as seriozitet, as vullnet që vendi me i pasë komplet institucionet”, u shpreh Hamza.


MË SHUME NGA Lajme