Dështon zgjedhja e presidentit, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme
Valmira Saraçi|RTKlive
(E plotësuar, ora 23:59) Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën e Jashtëzakonshme plenare ku në rend dite ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës. Opozita nuk po mori pjesë.
(E plotësuar, ora 23:59) Pas kalimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, vendi shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur para përfundimit të seancës.
“Po përpiqem mos me mbajtë më shumë se një minutë sepse na çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Të dashur deputetë, shumë të nderuar qytetarë, media që po e përcillni këtë seancë, staf i Kuvendit, kjo seancë shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature fatkeqësisht, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, tha Haxhiu që deklaroi fundit e mandatit të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit”.
LIVE| Përpjekja e fundit për ta zgjedhur presidentin
(E plotësuar, ora 23:59) Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e Jashtëzakonshme plenare ku në rend dite është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës. Opozita nuk po merr pjesë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur para deputetëve prezentë.
“Siç po e shihni jemi në minutat e fundit të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, apo thënë më saktë në minutat e fundit të kësaj legjislature, të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përkundër thirrjes së vazhdueshme edhe në seancën e filluar dje edhe në seancat e sotme, thirrjes që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë pranishëm në seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendi të ditës, zgjedhjen e presidentit, siç po e shihni opozita, deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe, Duda Balje, Adem Hoxha, nuk janë të pranishëm as në këtë seancë, as në përpjekjen e fundit për ta zgjedhur presidentin e vendit, sipas obligimeve kushtetuese”, tha ajo.
"Në ndërkohë po presim nëse i përgjigjen pozitivisht thirrjes time dhe t’i lënë anash barrikadimet dhe i kthehen konstruktivitetit dhe interesit qytetar dhe kjo është arsyeja që në vazhdimësi që nga dita e djeshme i kam bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të republikës që të jenë të pranishëm dhe t’i adresojnë obligimet e tyre kushtetuese. Qytetarët ata i kanë votuar që të vijnë këtu, të flasin hapur, të votojnë, për, kundër e abstenim dhe jo që të mbesin korridoreve të Kuvendit, sepse siç e dimë ata janë këtu në ambientet e Kuvendit të Kosovës gjatë tërë ditës dhe në asnjë moment nuk e kanë parë të arsyeshme t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për një pikë të vetme të rendit të ditës, shumë të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës e që është zgjedhja e presidentit", tha ajo.
Sipas saj, me të drejtë e kanë konsideruar e mirëpritur certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, menjëherë konstituuan Kuvendin, në po të njëjtën ditë ky kuvend e zgjodhi Qeverinë, miratuan buxhetin, shumë marrëveshje ndërkombëtare dhe një mori ligjesh shumë të rëndësishme.
"Dinamika e kësaj kohë e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka qenë mbresëlënëse. Pikërisht kjo punë ishte shenjë premtuese se vendi mund të hynte në një ritëm tjetër të punës ku do ët bëheshin shumë punë të mira për shtetin e qytetarët, prandaj kjo rrugë e nisur mbarë nuk e meritonte që të ndërpritej. Ka pasur përpjekje serioze për të zgjedhur presidentin e vendit për të shmangur zgjedhje t e parakohshme, por siç e keni parë e po e shihni po mungon vullneti i deputetëve të Kuvendit, si kryetare e Kuvendit kam vepruar në përputhje të plotë me kushtetutën dhe përgjegjësitë e mija, duke ndërprerë seancën me qëllimin e vetëm që të vazhdojmë disa herë në funksion të përmbylljes pozitive të këtij procesi duke zgjedhur presidentin e vendit. Por edhe përkundër kësaj jam ballafaquar me akuza që po e cenoj rendin kushtetues, po bëj puç institucional e gjithçka çka iu ka rënë ndërmend, por siç duket gjithë kjo ka qenë qëllim të krijohet, konfuzion, tension e të dëmtohet imazhi apo legjitimiteti i institucioneve të Republikës së Kosovës. Ata që kanë akuzuar për puç, cenim të rendit e çfarë nuk iu ka rënë ndërmend të kërkojnë falje publike", tha Haxhiu.
Seanca për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojë sonte në ora 23:00
(E plotësuar) Seanca për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojë sonte në ora 23:00.
Live| Vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit në ora 23:00
Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e Jashtëzakonshme plenare, ku në rend dite është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se është e detyruar që edhe këtë seancë ta ndërpresë këtu dhe u bëri thirrje që në orën 23:00 të vijnë sërish në seancë plenare. "Ju kërkoj ndjesë për këtë, por po përpiqem maksimalisht që të gjejmë hapësirë edhe brenda këtyre orëve që vendit t’i japim presidentin me mandat 5 vjeçar", tha ajo.























