`PYLLI` vazhdon të shfaqet pas premierës së suksesshme
Enis Tabak / RTK
Pas premierës së realizuar mbrëmë, e cila u prit me interes të madh, shfaqja teatrore “PYLLI” po vazhdon të takohet me publikun me reprizat e radhës.
Shfaqja do të jepet më 7 maj në ora 20:00 në Prizren dhe më 22 maj në ora 20:00 në Gjilan, ndërsa është vepër e autorit bashkëkohor Florian Zeller.
Ngjarja e shfaqjes ndjek historinë e Pierre-it, i cili po kalon një periudhë të thellë krize në jetën e tij. I ndarë mes familjes, karrierës dhe dëshirave të brendshme, ai përpiqet të ruajë ekuilibrin e krijuar, por përfshihet në një rrjet të ndërlikuar marrëdhëniesh, dyshimesh dhe tradhtish. Në këtë proces, kufiri mes reales dhe iluzionit bëhet gjithnjë e më i paqartë, duke reflektuar fuqishëm konfliktet e brendshme të personazhit në skenë.
Regjinë e shfaqjes e ka realizuar Erson Zymberi, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Era Balaj – Liridona Shehu, Rifat Smani, Alban Morina, Zana Duraku dhe Alban Çela.























