Sonte në RTK shfaqet dokumentari “Bllaca, Kufiri i Mbijetesës”
Venera Xhoxhaj Adili/RTK
Rrëfimet rrëqethëse të të dëbuarve në pranverën e zymtë të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, do të transmetohen në Radio Televizionin e Kosovës. Dokumentari “Bllaca, Kufiri i Mbijetesës” sjell në dritë përjetimet e atyre që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe të nisin rrugëtimin më të vështirë të jetës, pa e ditur as destinacionin.
Pika e ndalesës u bë edhe më e rëndë, kur mijëra shqiptarë kalonin net të tëra nën qiell të hapur, në skajin e fundit të tokës së Kosovës që po digjej.
Vaji i foshnjave përzihej me lotët e pleqve që luteshin për mbijetesë.
Por dora u shtri nga shqiptarët përtej kufirit. Ata ofruan bukë, zemër dhe pak më shumë shpresë.
Mantelbardhët në mision e përmbushën betimin e tyre në kushte të jashtëzakonshme. Ata depërtuan mes turmës, ndërsa mjekë të tjerë që ndodheshin aty u bashkuan dhe hapën dyert e tendave të bardha, brenda të cilave trajtoheshin plagët e trupit dhe të shpirtit.
Ndihma e mjekëve shqiptarë i parapriu organizimi dhe ngritjes së spitaleve fushore përtej kufirit — një dritë shprese në ditët më të errëta.
Dokumentari “Bllaca, Kufiri i Mbijetesës” shfaqet sonte (e premten) në orën 20:20, në Radiotelevizionin e Kosovës.























