Schmeichel mesazh Man Unitedit: Xhaka është zgjidhja ideale për mesfushën
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Manchester United është nxitur të synojë transferimin e Granit Xhaka në afatin kalimtar të verës, në një kohë kur klubi pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme në mesfushë.
Ish-portieri i “Djajve të Kuq”, Peter Schmeichel, ka deklaruar se mesfushori shqiptar i Zvicrës do të ishte përforcimi i duhur për skuadrën angleze, sidomos në një periudhë tranzicioni në “Old Trafford”.
Sipas Schmeichel, përvoja dhe lidershipi i Xhakës e bëjnë atë një profil të domosdoshëm për Unitedin, i cili pritet të humbasë Casemiron pas përfundimit të kontratës së tij në fund të sezonit.
“Xhaka është një lider i vërtetë. Ka përvojë, karakter dhe e di si menaxhohet një ndeshje e madhe. United ka nevojë për lojtarë të tillë në mesfushë,” është shprehur Schmeichel.
Ai ka shtuar se paraqitjet e Xhakës këtë sezon kanë qenë mbresëlënëse, duke theksuar ndikimin e tij te Sunderland, ku mesfushori mban edhe shiritin e kapitenit.
33 vjeçari ka kontratë me klubin anglez deri në vitin 2028 dhe këtë sezon ka regjistruar 31 paraqitje në Premier League, me 1 gol dhe 6 asistime.























