“Zëri i saj” emocionon publikun në natën e parë të shfaqjes në Prishtinë
Shqipe Gashi|RTKlive
Mbrëmja e parë e shfaqjes së baletit “Zëri i saj”, kushtuar ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, është pritur me emocione të mëdha dhe duartrokitje të gjata nga publiku në Atelienë e Pallati i Rinisë dhe Sportit.
Sipas postimit në faqen e Operës së Kosovës në Facebook, salla ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën nga afër interpretimet artistike dhe performancat koreografike të realizuara në kuadër të kësaj shfaqjeje, e cila i kushtohet figurës së njohur si “bilbili i Kosovës”.
Një vlerësim i veçantë iu dha interpretuesve të Operës së Kosovës, Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve 'Shota' dhe Shkollës së Mesme të Muzikës 'Prenk Jakova' – drejtimi balet, për paraqitjen artistike të vlerësuar nga publiku.
Shfaqja “Zëri i saj” vazhdon edhe sonte me natën e dytë, duke sjellë një tjetër mbrëmje artistike në kryeqytet.























