Hapet në Cyrih ekspozita për jetën dhe veprën e Fehmi Aganit
Sh.Ç/RTKlive
Në Cyrih është hapur ekspozita pamore “Kontributi Atdhetar, Intelektual dhe Politik i Akademik Fehmi Aganit”, e realizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe e organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih në bashkëpunim me Shoqata “Sali Çekaj”.
Ekspozita sjell përmes dokumenteve, fotografive dhe materialeve arkivore rrugëtimin atdhetar, intelektual dhe politik të akademikut Fehmi Agani, një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës paqësore dhe shtetformimit të Kosovës.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila në fjalën e saj vlerësoi figurën e profesor Aganit si simbol të urtësisë, maturisë dhe vizionit politik në kohët më të vështira për Kosovën.
Ajo theksoi se Agani ishte “truri i rezistencës sonë civile”, një personalitet që nuk kishte nevojë për zhurmë apo patetikë për të bindur njerëzit, por që me qetësinë, logjikën dhe besimin e tij në lirinë dhe Republikën e Kosovës, sillte kthjelltësi dhe siguri në kohë pasigurie.
Gërvalla kujtoi gjithashtu lidhjen e veçantë mes Fehmi Agani dhe Sali Çekaj, duke theksuar se ata i përkisnin një brezi që punoi për themelet e shtetit të Kosovës, jo për lavdi personale apo duartrokitje të momentit.
“Lavdi jetës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit. Respekt i përhershëm për brezin që e mbajti Kosovën gjallë në kohët më të vështira”, u shpreh ajo në përmbyllje të fjalës së saj.























