Përfundon dëshminë ekspertja Helen Fraser në rastin ndaj Thaçit dhe tjerëve
Emine Hoti/RTKlive
(Plotësuar, ora 16:16) Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, pyetjeve plotësuese të Mbrojtjes së Thaçit dhe pyetjeve të Gjykatësit të Vetëm, dëshmitarja e Mbrojtjes së Thaçit, prof. Helen Freizër përfundoi sot dëshminë e saj. Seanca e sotme u mbyll dhe seancat që ishin parashikuar për ditët e tjera do të hiqen nga kalendari.
Gjykatësi Gosnell gjithashtu u kujtoi palëve afatet e vendosura në një vendim të mëparshëm të tij, konkretisht për ekipet e Mbrojtjes, që të dorëzojnë njoftime në lidhje me mbylljen e paraqitjes së provave të tyre, si dhe për ZPS-në, që të bëjë të ditur nëse ka ndër mend të paraqesë kundërprova, përkatësisht deri më 14 dhe 15 maj 2026.
Fraser: Nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT
(Plotësuar, ora 11:59) - Ekspertja Helen Fraser në gjykimin në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka deklaruar se gjatë punës së saj për raportin lidhur me interpretimin e tingujve në transkriptet e Prokurorisë ka përdorur edhe Inteligjencë Artificiale, përfshirë ChatGPT, por theksoi se nuk është mbështetur tërësisht në të.
“Nuk mendoj që jam mbështetur tërësisht në ato. Mendoj që e kam mbështetur në vlerësimin tim të bërë për këto materiale dhe transkriptimi i Inteligjencës Artificiale ka qenë pjesë e saj, por nuk ka qenë e tëra kjo”, tha Fraser.
Gjatë kundërpyetjeve, prokurori Joshua Hafetz i tha se në raportin e saj, në pjesët e audiove forenzike, ekspertja ka dhënë përshtypjet e saj si një person që nuk flet gjuhën shqipe, por me ndihmën e ChatGPT-së.
“Po hezitoj sepse fjala përshtypje tingëllon pak si e lehtë dhe mendoj që ka qenë një vlerësim më i hollësishëm se kaq. Nuk mendoj se ka qenë përshtypje”, tha ajo.
Ajo shtoi se qëllimi i saj ka qenë të sqarojë metodologjinë e punës së saj.“Ajo që po përpiqem që të bëjë këtu është që ta bëjë të qartë që nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT, por kam rishikuar audion me ekspertizën time audio-forenzike dhe në transkriptimet forenzike”, tha dëshmitarja.
Sipas përmbledhjes së prokurorit, të cilën e pranoi edhe vetë Fraser, vlerësimi i saj i cilësisë së audiove në tetë segmentet e analizuara ka qenë i kufizuar për shkak se ajo nuk flet gjuhën shqipe.
Në këtë kontekst, prokurori e pyeti nëse në një situatë ideale vlerësimi i audios do të duhej të bëhej edhe me ndihmën e një folësi shqip, gjë me të cilën Fraser u pajtua.
Fraser shtoi gjithashtu se për shkak të mungesës së një folësi shqip ka përdorur edhe programe të Inteligjencës Artificiale, por theksoi se mbetet eksperte në fushën e saj dhe se vlerësimin mund ta kishte bërë edhe pa transkriptimet e ChatGPT-së.
Ekspertja: Vetëm një pjesë e vogël e mbi 300 dosjeve audio e përfshirë në raport
(E plotësuar, ora 11:40)- Dëshmitarja Helen Fraser në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka deklaruar se nga mbi 300 dosje audio të pranuara si prova në këtë çështje gjyqësore, ajo ka analizuar vetëm një numër të vogël të tyre, të cilat janë përfshirë në raportin e saj.
Gjatë seancës, prokurori Joshua Hafetz i tha dëshmitares se në këtë rast janë pranuar në prova 348 dosje audio që mbulojnë rreth 28 orë incizime.
Sipas prokurorit, Fraser në raport ka theksuar se ka marrë vetëm rreth tetë dosje audio, që sipas tij përbën më pak se 3% të materialit të përgjithshëm.
Pas kësaj, Hafetz e pyeti dëshmieren nëse kjo nënkupton se ajo nuk ka njohuri për rreth 97% të audiove në këtë çështje gjyqësore, gjë të cilën Fraser e pohoi.
Megjithatë, ajo deklaroi se nuk e ka kërkuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit më shumë dosje audio për analizë dhe përfshirje në raportin e saj.
Fraser tha gjithashtu se nuk i kujtohen saktësisht udhëzimet dhe pyetjet që i janë dhënë nga mbrojtja e Thaçit, të cilat kanë çuar në përgatitjen e raportit të saj.
Ajo shtoi se komunikimi me mbrojtjen ka qenë përmes platformës Zoom dhe e-mailit.
Sipas saj, mbrojtja i ka bërë të ditur se materialet nga vizitat e 3 shtatorit dhe 6 tetorit 2023 janë përfaqësuese.
“Unë nuk kam pasur materiale tjera dhe përfundimet e mia i kam mbështetur në këto dy vizita”, tha Fraser.
Fraser: Disa Interpretime të transkripteve nganjëherë shkojnë përtej audios
(E plotësuar 11:30) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka vazhduar dëshmia e dëshmitares së mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertës Helen Fraser, në gjykimin ku Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjatë kundërpyetjeve nga prokurori Joshua Hafetz, Fraser është pyetur për mënyrën e interpretimit të transkripteve dhe audio-incizimeve nga Prokuroria.
Ajo tha se disa nga interpretimet e bëra në transkripte shkojnë përtej asaj që është objektivisht e dëgjueshme nga audioja.
“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha Fraser.
Prokurori Hafetz i referohej raportit të saj ku ajo ka shkruar se transkriptet përmbajnë komente kontestuese lidhur me persona që hyjnë dhe dalin nga dhoma, si dhe interpretim të tingujve të ndryshëm si fëshfërima letrash apo kthim faqesh, duke theksuar se këto mund të shkojnë përtej asaj që është objektivisht e dëgjueshme nga audio.
Në lidhje me këtë, Fraser u pyet edhe për pjesën ku përmendet zhurma e letrave, dhe pati paqartësi gjatë sqarimit të saj me prokurorin. Ajo tha se pajtohet me atë që ka shkruar në raport.
“Nuk e kuptoj këtë. Mbase unë po keqkuptoj. Nuk mund të them që nuk jam dakord me këtë që kam shkruar në paragrafin e fundit”, tha ajo.
Fraser gjithashtu u ndal te çështja e zhurmës së letrave në transkripte, duke thënë se është e paqartë se si përkthyesit e ZPS-së kanë arritur në përfundimin se bëhej fjalë për kthim faqesh.
“Unë e kuptoj ku është keqkuptimi. Unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë që mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta persona që ktheheshin faqet, që ktheheshin fletët, si e kanë dalluar këtë gjë”, tha Fraser.
Prokurori më pas e pyeti nëse ajo po thotë që tingulli si “kthim faqesh” nuk mund të transkriptohet si i tillë, ndërsa Fraser u përgjigj se është çështje terminologjie dhe dallimi mes asaj që është objektivisht e transkriptueshme dhe asaj që nuk është.
“Është çështje tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm dhe disa jo. Mendoj që është e vështirë të kuptohet se çfarë është vërtetë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është i vështirë”, tha ajo.
Ajo përsëriti se disa interpretime, si për shembull hyrje-dalje të personave në dhomë, sipas saj shkojnë përtej asaj që mund të nxirret objektivisht nga audioja.
“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha Fraser.
Në fund, ajo u pyet nëse transkriptuesit e ZPS-së e kanë shënuar zhurmën e letrave ashtu siç e kanë dëgjuar, dhe Fraser u përgjigj shkurt se po, sipas saj ata kanë vepruar në mënyrë objektive në atë pjesë.
Vazhdon në Hagë seanca ndaj Thaçit e të tjerëve për `pengim të drejtësisë`
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, nga e hëna deri të premten, do të mbahen seanca gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në seancën e djeshme, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka dëshmuar ekspertja Helen Fraser. Kjo dëshmitare do vazhdojë dëshminë edhe sot.
Ekspertja Fraser dje dëshmoi rreth transkriptimit të audiove nga vizitat në qendrën e paraburgimit. Me këtë rast, ajo tha se mbështetja në transkriptet e ZPS-së nga audiot e vizitave në qendrën e paraburgimit është e ulët.
Helen Fraser- dëshmitare e thirrur nga mbrojtja e Thaçit, ritheksoi se nuk mund të mbështetesh në ato transkripte të ZPS-së si të sakta.
Prokurori Joshua Hafetz, tha se ekspertja ka pohuar që problematike ishte numri i mjaftueshëm i burimeve dhe materialet e ç’organizuara. Sipas prokurorit, procesi i verifikimit u quajt nga dëshmitarja si “eksperiment jo i mirëkontrolluar”.
Ekspertja tha se mendon që Njësia e përkthimeve ka bërë versionet finale që janë sugjeruar nga gjykatësi.
Në kuadër të këtij rasti, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan në Kosovë më 5 dhjetor 2024 dhe një ditë më pas u transferuan në paraburgimin e Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës dhe urdhërarresteve nga Gjykata Speciale, raporton RTKlive.
Po atë ditë, edhe Hashim Thaçi mori zyrtarisht fletarrestimin në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku tashmë ndodhej për procesin tjetër gjyqësor.
Ndërkohë, Hajredin Kuçi u njoftua me aktakuzën dhe urdhrin për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake më 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vepruar individualisht dhe në bashkëpunim për të ndikuar ose penguar zyrtarët në ushtrimin e detyrave të tyre.
Në paraqitjen e parë para gjykatës, më 27 shkurt 2026, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.























