Eurovision 2026, nis votimi për gjysmëfinalen e parë
BKT
Në Fokus

Eurovision 2026, nis votimi për gjysmëfinalen e parë

RTSH

( E plotësuar, ora  23:10) Arena madhështore Wiener Stadthalle është shndërruar në një det ngjyrash dhe emocionesh mbrëmjen e së martës, ndërsa ka ngritur siparin edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest.

 Mijëra tifozë entuziastë kanë mbushur shkallët e arenës, me flamuj të pikturuar në fytyra, rroba me ngjyrat kombëtare, xixa dhe stoli, duke festuar fuqinë ngjitëse dhe shpirtin “kiç” që e bën kaq unik muzikën pop evropiane.

Vjena, një qytet që është sinonim i shkëlqimit muzikor—nga gjenialiteti i Mozartit e deri te popi modern—po ofron një sfond spektakolar për këtë edicion historik.

Megjithatë, atmosfera festive shoqërohet me një perimetër të hekurt sigurie. Në të gjithë kryeqytetin austriak janë vendosur forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga njësi speciale të ardhura nga Gjermania fqinje, për të garantuar mbarëvajtjen e këtij eventi global.

Nën drejtimin e prezantueses televizive Victoria Swarovski dhe aktorit Michael Ostrowski, nata e parë ofroi një shfaqje vizuale dhe akustike të nivelit të lartë. Një vëmendje të veçantë mori “Dhoma e Gjelbër” (Green Room)—zona ku ulen artistët dhe delegacionet pas performancave. Këtë vit, dizajni i saj ka marrë një karakter thellësisht austriak, duke u kthyer në një element qendror të skenografisë.

Hapet votimi, 15 në garë për 10 vende

Pas një maratone muzikore, performancat e 15 artistëve që garojnë në gjysmëfinalen e parë kanë përfunduar. Prezantuesit kanë hapur zyrtarisht radhët e votimit, por me një rregull të rreptë: vetëm vendet që marrin pjesë në natën e sotme kanë të drejtë të votojnë. Nga 15 shtetet konkurruese, vetëm 10 prej tyre do të sigurojnë biletën për në finalen e madhe të së shtunës.

Gjatë mbrëmjes performuan gjithashtu edhe Italia me Gjermaninë, të cilat si pjesë e “Big 5” janë të kualifikuara automatikisht për në finale, por u prezantuan për publikun dhe kanë të drejtë vote.

Lista e Plotë e Performancave (Gjysmëfinalja e Parë):

Moldavia: Satoshi – Viva, Moldova!

Suedia: FELICIA – My System

Kroacia: LELEK – Andromeda

Greqia: Akylas – Ferto

Portugalia: Bandidos do Cante – Rosa

Gjeorgjia: Bzikebi – On Replay

Finlanda: Linda Lampenius x Pete Parkkonen – Liekinheitin

Mali i Zi: Tamara Živković – Nova Zora

Estonia: Vanilla Ninja – Too Epic To Be True

Izraeli: Noam Bettan – Michelle

Belgjika: ESSYLA – Dancing on the Ice

Lituania: Lion Ceccah – Sólo Quiero Más

San Marino: SENHIT – Superstar

Polonia: ALICJA – Pray

Serbia: LAVINA – Kraj Mene

Kualifikuar direkt

Italia- Sal Da Vinci – Per Sempre Sì

Gjermania- Sarah Engels – Fire

Beteja tani i kalon publikut. Evropa po voton për të zgjedhur 10 finalistët e parë që do t’i bashkohen garës përfundimtare për kurorën muzikore të vitit 2026.

Nis magjia e Eurovision 2026 në Vjenë

( E plotësuar, ora  21:10)Qyteti i Vjenës është veshur me ngjyrat dhe moton “Të Bashkuar nga Muzika” për të mirëpritur edicionin e 70-të të Eurovision Song Contest.

Nën dritat e sallës ikonike Wiener Stadthalle, 35 shtete do të garojnë për kurorën e kontinentit, në një vit që sjell rregulla të reja dhe emocione të forta.

Plot 11 vjet pas organizimit të fundit, Austria është sërish mikpritëse e eventit më të madh muzikor evropian, pas fitores së këngëtarit JJ në vitin 2025.

Alis dhe mesazhi i këngës “Nan”

Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, e cila mbart një mesazh të fuqishëm dhe universal mbi figurën e nënës në familjen shqiptare. Performanca e tij në skenë është cilësuar si një ndërthurje e thjeshtësisë së tekstit me një motiv muzikor të thellë, gjë që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë gjigantin BBC.

Gjatë një interviste për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, Alis rrëfeu emocionet e provave dhe përgatitjet intensive për natën e dytë gjysmëfinale, ku do të ngjitet në skenë i 13-ti në radhë.

“Çfarë mund të them, është ëndërr. Në momentin e parë që kam shkuar për të bërë provat, nuk ndihesh sikur po bën provë, ndihesh sikur po të shikon e gjithë bota,” u shpreh Alis. “Kjo është pjesa më e bukur që përjetojnë artistët në Eurovizion. Fansat kanë një energji që nuk di si ta përshkruaj. Jam jashtë mase mirënjohës për gjithë mbështetjen e shqiptarëve dhe uroj t’i bëj sa më krenarë.”

Eurovision 2026/ Sot nata e parë, 15 gjysmëfinalistë në arenën e Vjenës

Nis sot edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest, me gjysmëfinalen e parë në kryeqytetin austriak në Wiener Stadthalle, ku 15 vende do të garojnë për një vend në finalen e madhe të së shtunës. Organizatori i këtij viti është Austria, pas fitores së këngëtarit JJ në Eurovision 2025 me këngën “Wasted Love”.

15 vendet pjesëmarrëse në gjysmëfinalen e parë janë: Moldavia, Suedia, Kroacia, Greqia, Portugalia, Gjeorgjia, Finlanda, Mali i Zi, Estonia, Izraeli, Belgjika, Lituania, San Marino, Polonia dhe Serbia.

Dhe dy vendet e tjera, konkretisht Gjermania dhe Italia, kualifikohen automatikisht për finalen dhe do të performojnë e do të votojnë gjatë këtij spektakli.

Shqipëria së bashku me 14 vende të tjera, sikurse Bullgarinë, Azerbajxhanin, Rumaninë, Luksemburgun, Çekinë, Armeninë, Zvicrën, Qipron, Letoninë, Danimarkën, Australinë, Ukrainën, Shqipërinë, Maltën dhe Norvegjinë do të marrin pjesë në gjysmëfinalen e dytë që do të zhvillohet të enjten, më 14 maj.

Ndërsa Austria, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (që kalojnë direkt në finale) gjithashtu do të performojnë dhe votojnë gjatë shfaqjes.

Alis dhe kënga shqiptare “Nan”

Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, e cila ka fituar zemrat e publikut dhe fansave ndërkombëtarë. Gazetarja Sonila Agostini, në një lidhje Skype nga Vjena për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri thirrje për mbështetjen e këngës shqiptare.

“Nëse janë pjesë e vendeve që janë pjesëmarrëse të Eurovizionit, mjafton numri 13 që është kënga përfaqësuese e Alis dhe gjithashtu kodet e vendeve të tyre. Ndërsa nëse janë nga vende të tjera që nuk janë pjesë e Eurovizionit, ata mund të votojnë më datë 14 për këngën e Alis gjatë gjithë ditës më datë 14. Nuk do të mund të votojnë në momentin që transmetohet drejtpërdrejt spektakli i Eurovizionit dhe do të mund të votojnë edhe pak minuta pasi kënga e Alis dhe pasi vetë spektakli të ketë përfunduar në mënyrë që votat e tyre të bashkohen si një buqetë dhe të na çojnë në finale. Kjo do të ishte një arritje e rëndësishme dhe një shpërblim i sakrificës së madhe që Alis dhe Radio Televizioni Shqiptar ka bërë gjatë këtyre gjashtë muajve”, tha Agostini.

Në Finalen e Madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë. Do të qëndrojë i hapur gjatë të gjitha performancave dhe për afërsisht 40 minuta pasi të jetë interpretuar kënga e fundit. Mund të votoni me telefon, SMS ose në esc.vote varësisht nga vendi ku ndodheni, dhe mund të votoni deri në 10 herë.

Nëse ndodheni në një vend jo pjesëmarrës, dritarja e votimit do të hapet në mesnatë para çdo gjysmëfinaleje dhe do të qëndrojë e hapur deri në fillimin e shfaqjeve live. Votimi më pas ndërpritet ndërsa artistët performojnë dhe do të rihapet pas këngës së fundit. Më pas do të keni pak më pak se 20 minuta për të hedhur 10 votat tuaja.

Performanca e Alis në skenë sjell një mesazh të fuqishëm mbi rolin e nënës në familjen shqiptare, duke kombinuar thjeshtësinë e tekstit me një motiv muzikor të thellë. Videoklipi shoqërues i këngës nënvizon rëndësinë e figurës së nënës, duke e bërë performancën të prekshme dhe universale.

Gjatë ditëve të fundit, Alis ka marrë pjesë në prova intensive, paradat e artistëve dhe intervista me fansat, duke promovuar këngën dhe duke krijuar lidhje me komunitetin ndërkombëtar të Eurovisionit.

Kalendari i netëve

Sonte, 12 maj: Gjysmëfinalja e parë – 15 këngëtarë, 10 kualifikohen për finalen e shtunës.

E enjte, 14 maj: Gjysmëfinalja e dytë – performanca e Alis dhe 14 artistëve të tjerë, 10 prej tyre kualifikohen për finalen.

E shtunë, 16 maj: Finalja e madhe – performancat e të gjithë finalistëve, përfshirë vendet që kualifikohen automatikisht dhe fituesin e gjysmëfinaleve.

Ky Eurovision shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shërbyer jo vetëm si garë muzikore, por edhe si festë e kulturës dhe identitetit shqiptar në një skenë ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Në Fokus