Specialja publikon pamje nga paraburgimi ku mbahen ish-krerët e UÇK-së
BKT
Gjykata Speciale

Specialja publikon pamje nga paraburgimi ku mbahen ish-krerët e UÇK-së

Valbona Thaçi / RTKLive

Gjykata Speciale ka publikuar pamje nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, ku po mbahen ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Përmes një njoftimi të publikuar në platformën “X”, Dhomat e Specializuara bënë të ditur se personat që mbahen në paraburgim para ose gjatë procesit gjyqësor kanë qasje në ajër të pastër dhe aktivitete fizike, mundësi socializimi, vizita si dhe pjesëmarrje në shërbime fetare.

“Kanë qasje në televizione shqiptare dhe të drejtë të pranojnë disa telefonata në javë”, dëgjohet të thotë në video zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Sipas Gjykatës Speciale, masa e paraburgimit zbatohet vetëm në rastet kur konsiderohet e domosdoshme për të parandaluar rreziqe të mundshme, përfshirë ndikimin apo frikësimin e dëshmitarëve nga të akuzuarit.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se çdo dy muaj gjyqtarët e Dhomave të Specializuara shqyrtojnë vazhdimin e paraburgimit, për të vlerësuar nëse kjo masë mbetet ende e nevojshme dhe e arsyeshme.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale