Sistemi prokurorial drejt unifikimit të raportimit të punës vjetore
RTKLive
Për dy ditë me radhë, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të sistemit prokurorial janë bërë bashkë në një punëtori për krijimin e një forme më të qartë, më praktike dhe më të unifikuar të raportimit të punës së kryeprokurorëve në Republikën e Kosovës.
Në këtë punëtori, të organizuar nga Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive i Këshillit Prokurorial të Kosovës, nën udhëheqjen e kryesuesit të këtij komisioni, njëherësh Zëvendëskryesues i KPK-së, Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi, po marrin pjesë anëtarë të KPK-së, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryeprokurorë dhe prokurorë të prokurorive themelore dhe përfaqësues të kabinetit të Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit dhe Sekretariatit të KPK-së.
Në hapje të punëtorisë, Prof. Ass. Dr. Vuniqi, theksoi se synimi final i kësaj punëtorie është që raportet institucionale të jenë të standardizuara, të lehta për t’u përgatitur dhe të kuptueshme, duke krijuar një qasje të njëjtë raportimi në të gjithë sistemin prokurorial.
Në qendër të diskutimeve ishte hartimi i formave të përbashkëta të shabllonëve për raportimin njëvjeçar të Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore.
Sipas pjesëmarrësve, unifikimi i raportimit krijon një sistem më funksional, që u kursen kohë kryeprokurorëve dhe hartuesve të raporteve, lehtëson procedurat administrative dhe rrit cilësinë e dokumenteve publike.
Sesionet e kësaj punëtorie do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme deri në finalizimin e të gjitha drafteve të shabllonëve për raportimin vjetor të të gjitha niveleve të sistemit prokurorial.























