Kurti: Zgjedhjet janë mes dy ideve për Kosovën
B.H./RTKlive
Në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë është bërë prezantimi i listës së kandidatëve për deputetë të koalicionit Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe PShDK, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që mbahen më 7 qershor.
Në këtë tubim morën pjesë drejtues të koalicionit, kandidatë për deputetë dhe mbështetës të shumtë, derisa u prezantua programi dhe vizioni politik për mandatin e ardhshëm qeverisës.
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në fjalën e tij tha se zgjedhjet e ardhshme janë “zgjedhje mes dy ideve për Kosovën”.
“Njëra ide është jona, që e sheh shtetin si të përbashkëtën tonë më të madhe. Si shtet i të gjithëve. Si mjet për drejtësi, për zhvillim, për dinjitet. Ideja tjetër, e atyre, e sheh shtetin si pronë të pakicës, si privilegj, si pushtet për vete", tha Kurti.
Ai tutje tha se në këto vite kanë dëshmuar se qeveria, si një nga shtyllat kryesore të shtetit, mund të jetë në anën e qytetarëve.
"Kemi dëshmuar se shteti mund të jetë për krejt, se mund të punohet për të gjithë. Prandaj, gjithnjë e më tepër, bashkë, po bëhemi shumë e më shumë, për shtetin", shtoi Kurti.
Ai tha se gjatë mandatit qeverisës janë ndërmarrë politika në mbështetje të pensionistëve, familjeve, punëtorëve, studentëve, fermerëve, ushtarëve dhe prodhuesve vendorë.
Kurti potencoi gjithashtu se qeveria e tij ka shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit dhe ka punuar për rritjen e mirëqenies dhe uljen e korrupsionit.
“Një qeveri që e shtrin sovranitetin e shtetit cep më cep të vendit; një qeveri që nuk lëshon pe asnjëherë kur janë në pyetje interesat vitale të shtetit; një qeveri që rrit mirëqenien dhe vë në fokus nënat e fëmijët, fermerët e studentët, punëtorët e veteranët, profesionistët dhe mërgatën; që rrit mirëqenien dhe ul korrupsionin, një qeveri e tillë është më se e natyrshme të kërkojë besimin e qytetarëve për të vazhduar me mandatin e radhës", tha Kurti.
Sipas tij lista e prezantuar e kandidatëve për deputetë synon përfaqësim gjithëpërfshirës dhe përfshirjen e profileve të ndryshme profesionale e shoqërore, me synimin për një Kosovë më të drejtë dhe me zhvillim të qëndrueshëm.























