Bordi i RTK-së kërkon mbështetje institucionale
BKT
Në Fokus

Bordi i RTK-së kërkon mbështetje institucionale

RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur mbrëmë diskutoi gjendjen financiare dhe funksionale të institucionit pas tërheqjes së mjeteve nga llogaria bankare nga përmbaruesi privat, sipas vendimit të prerë të gjykatës për çështjen juridike të paditësit Grand Media, datuar në vitin 2011.

“Pas shqyrtimit të raportimeve nga menaxhmenti, Bordi shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar dhe ndikimin që ajo mund të ketë në funksionimin normal të transmetuesit publik, përfshirë realizimin e obligimeve financiare dhe operacionale të RTK-së, pas tërheqjes së 950,703.60 eurove. Bordi, së bashku me menaxhmentin e RTK-së, do të ndërmarrë të gjitha veprimet për gjetjen e modaliteteve për mbrojtjen e interesit të RTK-së”, thuhet në komunikatë.

Bordi i RTK-së kërkoi auditimin e dosjes posa të kompletohet Njësia e Auditimit të Brendshëm dhe Komiteti i Auditimit. Në të njëjtën kohë, Bordi do të kërkojë mbështetje dhe koordinim me institucionet kompetente të Republikës së Kosovës për tejkalimin e kësaj situate dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të transmetuesit publik.

“Radiotelevizioni i Kosovës mbetet i përkushtuar ndaj misionit të vet publik, transparencës dhe informimit të drejtë të qytetarëve”, thuhet në fund të komunikatës së Bordit të RTK-së.


MË SHUME NGA Në Fokus