Sinner forcon vendin e parë pas triumfit në Romë
F.Bytyqi/RTKLive
Falë triumfit në turneun në Romë, Jannik Sinner ka forcuar edhe më tej pozitën e tij në krye të tenisit botëror, duke krijuar një diferencë të ndjeshme në renditjen ATP ndaj rivalit kryesor Carlos Alcaraz.
Italiani, i cili ka fituar titullin e tij të 5-të radhazi në turnet Masters 1000 këtë sezon, ka rritur avantazhin në 2740 pikë ndaj spanjollit. Aktualisht, Jannik Sinner numëron 14,700 pikë, ndërsa Alcaraz mbetet në kuotën e 11,960 pikëve, teksa vazhdon të mungojë në qark për shkak dëmtimi.
Sipas përllogaritjeve aktuale të renditjes, edhe duke marrë parasysh heqjen e pikëve nga turnet e Roland Garros dhe Wimbledon të vitit 2025, Sinner do të ruante një epërsi të konsiderueshme ndaj rivalit të tij, duke e bërë praktikisht të sigurt qëndrimin në vendin e parë në botë, pavarësisht rezultateve në Grand Slam-et e ardhshme.
Në renditjen e përditësuar të ATP-së, vendin e tretë dhe të katërt e mbajnë respektivisht Alexander Zverev dhe Novak Djokovic.
Një ngritje të rëndësishme ka regjistruar edhe Ben Shelton, i cili është ngjitur në vendin e 5-të, duke kaluar Felix Auger-Aliassime që zbret në pozitën e 6-të.
Top 10-shja plotësohet nga Daniil Medvedev, Taylor Fritz, Alex de Minaur dhe Alexander Bublik.























