Njohësit e futbollit favorizojnë Aston Villa po nuk nënvlerësojnë Freiburg
Uran Krasniqi / RTKLive
Njohës të futbollit kanë vlerësuar se Aston villa është favorite për ta fituar trofeun e Europa League po nuk kanë nënvlerësuar skuadren gjermane, Freiburg.
Sonte zhvillohet finalja e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të klubeve evropiane dhe ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Trajneri i futbollit, Jusuf Tortoshi, ka thënë se pavarësisht që skuadra angleze është favorite, skuadrat gjermane nuk dorëzohen lehtë.
“Pavarësisht se Aston Villa është favorit, skuadrat nga Bundesliga nuk dorëzohen lehtë. Skuadra gjermane ka një trajner të ri në moshë, por që gjithmonë ka qenë brenda klubit dhe klubi ka treguar besim tek ai duke ia dhënë rastin. Ai ka treguar sukses. Besoj që do të jetë një finale interesante dhe një lojë e mirë. Si dhe të mos e harrojmë një gjë: çdo finale është lojë më vete”, ka deklaruar Tortoshi.
Edhe analisti i futbollit, Genc Sërmaxhaj, e ka parë skuadrën angleze me më shumë gjasa për triumf, kryesisht për shkak të përvojës dhe cilësisë së skuadrës angleze.
“Aston Villa ka një dozë të favoritit për shkak të cilësisë, traditës dhe trajnerit Unai Emery, i cili ka fituar katër tituj në këtë garë. Mirëpo, përkundër të gjithë këtyre faktorëve, presioni do të jetë në anën e Aston Villa, sepse Freiburg nuk ka çfarë të humbasë. Gjithashtu, Freiburg është ekip tipik gjerman, që jo rastësisht ka arritur deri në finale”, është shprehur Sërmaxhaj.























