Ndahen 1 milion euro nga buxheti i shtetit për Pakon për Mbeturinat
BKT
Lajme

Ndahen 1 milion euro nga buxheti i shtetit për Pakon për Mbeturinat

Besjana Mulaj / RTK

Përmes Pakos për Mbeturinat, e cila u prezantua sot nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, parashihet largimi i 500 deponive ilegale në vend, mbështetja financiare për komunat që nuk arrijnë t’i menaxhojnë mbeturinat në territorin e tyre, si dhe ndëshkime në rastet e neglizhencës.

“Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat. Situata me mbeturina është bërë serioze e kjo sidomos nga hapësirat që nuk mbulohen nga askush. Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë. Sot jemi këtu për të shpallë një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrijë dy efekte e para të intervenoj në vendet ku heqja e mbeturinave rrezikon shëndetin. Po ashtu, kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku qeveria nuk rri duarkryq por është prijëse e organizimit”, ka thënë Albin Kurti, Kryeministër në detyrë.

Ministrja në detyrë e kësaj fushe, Fitore Pacolli, tha se për këtë pako janë ndarë 1 milion euro nga buxheti i shtetit dhe se ajo mbulon hapësirat jashtë kufijve të vendbanimeve. Ajo shtoi se nga sot janë shtuar patrullimet dhe është rritur numri i inspektorëve.

“Ky program bazohet në këto shtylla; Pastrimin e hapësirave jashtë kufijve të vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve inspektuese, dhe vendosja e pakompromis e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve, si dhe strategjinë e karotës dhe shkopit për komunat. Nga sot po fillojmë me patrullime të shtuara”, ka thënë Pacolli.

Për angazhim të shtuar në largimin e mbeturinave, deri më tani Ministria e Mjedisit ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë publike të menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Pejë.


MË SHUME NGA Lajme