“Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit prezantohet në SHBA
RTKLive
Në Nju Jork u prezantua botimi në anglisht i romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apolloni, për të cilin foli studiuesi i mirënjohur dhe profesori i Harvard University, David Damrosch.
Hapjen e takimit të organizuar nga Konsullata e Kosovës, e bëri ambasadori Blerim Reka, i cili tha se promovimin e kishte caktuar pikërisht më 21 maj, sepse kjo datë korrespondon me masakrën e Stagovës.
Ky aktivitet ishte gjithashtu një nderim për viktimat shqiptare të masakrës së Stagovës së Kaçanikut, ku në mesin e të vrarëve nga ushtria serbe ishte edhe axha i shkrimtarit Apolloni.
Në praninë e shumë mysafirëve, si Prof. Dr. Lori Fisler Damrosch, ish-presidente e Shoqatës Amerikane të së Drejtës Ndërkombëtare (ASIL) dhe profesoreshë në Fakultetin Juridik të Columbia University, studentëve të Columbia University dhe Harvard University, drejtorit të ACJ-së, drejtorit të Institutit THEDI të Nju Jorkut, si dhe bashkatdhetarëve tanë, për librin foli profesori i njohur i letërsisë krahasuese, David Damrosch.
Ambasadori Blerim Reka, në hapje të këtij promovimi, rikujtoi masakrën e Stagovës si pjesë të gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, duke theksuar se urdhëruesit dhe zbatuesit e këtij gjenocidi ende nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Profesori Damrosch foli për vlerat e librit, ndërsa autori Apolloni lexoi pjesë nga vepra e tij, sidomos ato ku flitet për dy nënat shqiptare, Ferdonijen dhe Pashken, djemtë e të cilave u vranë nga pushtuesi serb.























